Gjithçka gati për protestën e nesërme kundër Jeremiqit

2 Shtator 2016 - 18:41      

Organizatoret e protestës së 3 shtatorit, kundër zgjedhjes së Vuk Jeremiqit për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, Jeta Berisha dhe Fatbardhë Kiqina, përmes një njoftimi për media thonë se sot janë kryer përgatitjet finale për organizimin e kësaj proteste, që do të mbahet të shtunën në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Ato thanë se protesta është gjithëpërfshirëse dhe se pritet pjesëmarrje masive e popullit, kjo sepse, sipas tyre, ata e kanë mundësinë më të mirë që, edhe një herë pas shumë vitesh, t’i bashkojnë forcat kundër njeriut që e mohon pavarësinë dhe ekzistimin e shtetit tonë.

Protesta kundër Vuk Jeremiqit, pritet të jetë protesta e parë që do t'i mbledh të gjitha subjektet politike, OJQ-të dhe aktivistët e shoqërisë civile për një kauzë të përbashkët.

Organizatoret e protestës, kanë njoftuar se protesta do të jetë tërësisht paqësore dhe nuk ka për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj popullit serb, por do të jetë reagim i popullit të Kosovës ndaj kandidimit të antishqiptarit më të madh serb për Sekretar të Përgjithshëm të OKB-së, pasi që sipas tyre, kandidimi i tij është fyerje për të vdekurit dhe të mbijetuarit e luftërave të zhvilluara në Kosovë, Kroaci e Bosnje, nga po i njëjti okupator.

“Qëllimi ynë nuk është që t’i rihapim plagët shpirtërore që i ka lënë lufta dhe okupatori serb tek ne, por që t’ia dëshmojmë Jeremiqit dhe OKB-së që, durimit të popullit tonë i ka ardhur fundi”, treguan ato duke shtuar se, “është e patolerushme për ne që, një njeri i cili e ka shpallur haptazi urrejtjen ndaj një populli tjetër, të kandidohet në postin e njeriut që supozohet ta ruaj paqen në botë”, janë shprehur organizatoret.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...