VV: Demarkacioni e Zajednica “vdiqën”, radhën e ka dorëheqja e kryeministrit

2 Shtator 2016 - 14:21      

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu në konferencë për shtyp ka thënë se demarkacioni dhe ‘Zajednica’ tani janë dy tema të vdekura, ndërsa tani radhën e ka dorëheqja e Qeverisë.

“Ajo çka është e qartë është se Zajednica dhe demarkacioni janë tema që kanë përfunduar, kurse tani është koha e dorëheqjes së Qeverisë”, ka thënë Sejdiu.

Ai më tutje ka shtuar se qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm për shkak të klanit “Pronto”, ndërsa ka theksuar se sikur të ishte Vetëvendosje në pushtet nuk do të ndodhte privatizimi, si dhe nuk do të kishte krim e korrupsion.

Përmes një komunikate për media Vetëvendosje ka kërkuar që të dorëhiqet Qeveria pasi sipas saj, përfundimisht i ka dështuar dy kauzat kryesore të saj: Zajednicën dhe demarkacionin.
Sejdiu ka thënë se dje kryeministri tërhoqi nga rendi i ditës çështjen e demarkacionit, por do të duhej që bashkë më të të ofronte edhe dorëheqjen e tij. Si dhe përmendi shkeljen e 23 neneve të Kushtetutës me rastin e ‘Zajednicës’.

“Angazhimi qytetar po i tregon frytet e veta, protestat po i tregojnë frytet e veta, protestat qytetare siguruan dorëheqjen e Jabllanoviqit, protestat qytetare siguruan që ‘Zajednica’ të bie, dhe angazhimi qytetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe subjekteve tjera opozitare siguruan tërheqjen e demarkimit. Në vijim, e vetmja që mbetet është dorëheqja e kryeministrit Isa Mustafa dhe zgjedhjet e parakohshme”, tha Sejdiu gjatë kësaj konference.

E në fjalën e saj, deputetja Albulena Haxhiu shprehu kritikat e saj për kapjen e sistemit të drejtësisë, kritika këto që ndonëse janë bërë vazhdimësi, nuk çuan në reflektim të këtij sistemi.

Ajo tha se i gjithë sistemi është vënë në shërbim të këtij regjimi, dhe kjo po konfirmohet edhe njëherë me veprimet e fundit të policisë, prokurorisë e gjyqësisë. Ajo përmendi edhe arrestimet e ditëve të fundit, gjegjësisht 3 ditë para protestës paqësore, ku u arrestuan 6 aktivistë.

“Nuk kaloi shumë dhe u kuptua që arrestimi i tyre ishte një tendencë e ulët për frikësim të qytetarëve dhe krijimi i një gjendje fiktive duke filluar përndjekjen penale ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje duke i shtyrë dyshimet dhe duke i linçuar publikisht për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës”, theksoi Haxhiu.

Më tej, ajo shtoi se sot nuk janë nëpër burgje kriminelët e klanit Pronto, por ata të cilët me tërë qenien e tyre po e mbrojnë territorin e Republikën. Konkretisht 2 deputetë dhe 4 aktivistë në mbajtje, dy deputetë dhe 3 aktivistë në arrest shtëpiak dhe 3 aktivistë në paraburgim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...