Misioni i “Nënë Terezës” në Shqipëri nderohet me titullin “Simbol i Qytetit të Tiranës”

2 Shtator 2016 - 14:01      

Misioni i “Nënë Terezës” në Shqipëri u nderua sot nga Bashkia e Tiranës me titullin “Simbol i Qytetit të Tiranës”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi shtëpinë e motrave “Nënë Tereza”, ku edhe u dorëzoi titullin, të cilin e vlerësoi si shenjë mirënjohjeje ndaj humanistes së njohur.

“Jam shumë i bekuar që, bashkë me një pjesë të stafit të bashkisë, ndodhem në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës, që ofrojnë shërbime të posaçme në qytetin tonë, për njerëzit më në nevojë, për të sëmurët dhe të braktisurit. Siç thoshte edhe Nënë Tereza: ‘Nuk bëjmë dot të gjithë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë disa gjëra të vogla, me dashuri të madhe’”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai tha se siç është kjo qendër për meshkujt e moshuar në nevojë, ka dhe një qendër tjetër, akoma më të madhe, për zonja në moshë në nevojë, transmeton TCH.

“Më vjen mirë që sot i kemi dhënë simbolin e qytetit të Tiranës motrave të Nënë Terezës, pasi është imazhi saj i gdhendur, për t'ju shprehur mirënjohje dhe për të theksuar që jemi qytet që ka memorie dhe që mban mend vitet '91, '92, vitet e para kur Nënë Tereza, por edhe motrat e para, erdhën në Shqipëri, edhe për të kuptuar që, Shqipëria mund të ketë ndryshuar shumë, por misioni ka mbetur i njëjtë, gjithmonë pranë atyre që janë në nevojë, gjithmonë solidaritet me ata që janë më të vuajturit”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se simboli i qytetit me imazhin e Nënë Terezës jepet për herë të parë dhe se do të kemi një standard për të gjithë ata që kryejnë vepra solidariteti në qytet, të jenë të denjë për të mbajtur këtë simbol.

Ndërkaq, shtëpia e motrave të Nënë Terezës i dorëzoi kryebashkiakut Veliaj simbolin e kësaj qendre.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se kjo është një javë, e cila do të ketë shumë aktivitete, për të përjetuar veprën e Nënë Terezës, e cila kulmon me shenjtërimin e saj në 4 Shtator.

“Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës në orën 09:30, në sheshin "Nënë Tereza", ku do të vendoset pllaka e re në kujtim të misionares shqiptare. Do të kemi një shfaqje të meshës në ekran, si dhe një koncert me këngë nga kori i TOB-it. Një mundësi për të gjithë qytetarët, që ndoshta nuk janë besimtarë katolikë, por që kanë dëshirë të përjetojnë ndjenjën e krenarisë për Nënë Terezën”, tha Veliaj.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...