Ambasadorja Nazane Breca i dorëzoi letrat kredenciale presidentit zviceran Johann Schneider-Ammann

2 Shtator 2016 - 12:47      

Bernë, 2 shtator – Ambasadorja e Republikës së Kosovës, Nazane Breca, dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Zvicrës, Johann Schneider-Ammann.

Ajo përcolli përshëndetjet e zyrtarëve më të lartë të Republikës së Kosovës, për qeverinë, institucionet dhe popullin zviceran dhe shprehu falënderimin e tyre dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për vendin tonë, transmeton Koha.net.

Zvicra dhe Kosova, përtej raporteve ndërshtetërore, tashmë kanë raporte familjare, të cilat u krijuan përmes numrit të madh të mërgimtarëve tanë që në këtë vend të bukur gjetën një strehë të dytë, theksoi ambasadorja Breca dhe shtoi se prioritet i politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, por edhe punës së saj si ambasadore, do të jetë thellimi i raporteve me vendin pritës dhe avancimi i bashkëpunimit ekonomik dhe kulturor. Ambasadorja më tej theksoi synimin e pandërprerë të Kosovës që si shtet i lirë dhe demokratik të vazhdojë thellimin e marrëdhënieve me shtetin zviceran, mbështetur në miqësinë dhe respektin e madh të popullit të Kosovës për popullin zviceran. Vendi ynë ka ende shumë nevojë për mbështetjen e shtetit zviceran për të tejkaluar me sukses sfidat e mëdha të cilat janë të paevitueshme në rrugën tonë të shtetndërtimit.

Presidenti i Zvicrës, Johann Schneider-Ammann, i ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e tij Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër në përgjithësi dhe shprehu bindjen e tij se marrëdhëniet, tashmë shumë të mira, ndërmjet dy shteteve do të thellohen edhe me tej. Ai shtoi se Zvicra do të ofrojë mbështetjen e saj të plotë për integrimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe institucionet euroatlantike.

"Një Kosovë stabile do të thotë një Evropë stabile", theksoi presidenti i Zvicrës, duke shtuar se përparimi i çdo shoqërie fillon dhe vazhdon duke i kushtuar rëndësi të veçantë edukimit të mirëfilltë të gjeneratave të reja. Ai vuri në pah edhe diasporën tonë për të cilën theksoi se luan një rol shumë të rëndësishëm në raportet mes dy shteteve.

Në këtë ceremoni ambasadorja Breca u shoqërua nga ministrat-këshilltarë, Fatmire Musliu dhe Mustafë Xhemajli.

Ambasadorja Breca është ambasadorja e dytë e Republikës së Kosovës në Zvicër. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...