Krejt çka ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës rreth demarkacionit [Raport i KTV-së]

1 Shtator 2016 - 19:03      

Nuk kishte ditë që nuk deklaronte se demarkacioni do të kalonte me 1 shtator, por vetë Isa Mustafa e tërhoqi nga rendi i ditës në Kuvend pikën për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Mungesa e Listës Serbe në Kuvend ishte arsyetimi që e dha kryeministri. Tha se kjo tërheqje nuk nënkupton rishqyrtim të marrëveshjes, por vetëm tërheqje për një kohë më të përshtatshme.

Tregoi se Lista Serbe ka kërkuar koncesione të reja e që Kosova nuk është e gatshme t’i pranojë.

I menjëhershëm ishte reagimi i opozitës, e cila tha se për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk duhet të jenë dy të tretat e serbëve, prandaj kërkuan nga kryeministri ta thotë të vërtetën se nuk i kanë votat as të deputetëve të LDK-së e PDK-së.

Në fund, deputetët nuk patën durim t’i dëgjojnë edhe dy deputetët e pavarur, Shaip Mujën e Gëzim Kelmendin

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit Thaçi në facebook, ku ka thënë se “Rrethanat që po krijojnë zvarritjen e mëtutjeshme të implementimit të agjendës shtetërore të marrëveshjeve ndërkombëtare paraqesin shqetësim serioz për qytetarët e Kosovës dhe për partnerët tanë euroatlantikë.

Ky hezitim nga njerëzit e zgjedhur rrezikon pa të drejtë interesat shtetërore, që ndërlidhen me liberalizimin e vizave dhe themelimin e ushtrisë së Kosovës. Me këto zvarritje, partnerëve tanë ndërkombëtarë po ua heqim argumentet që të na mbështesin në arritjen e qëllimeve dhe të interesave tona madhore, ka shkruar Thaçi.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka arrestuar deputetet e Vetëvendosjes, Donika Kadaj – Bujupi dhe Aida Dërguti, pasi dyshohet se tek to kanë gjetur sprej. Deputetja Kadaj-Bujupi është arrestuar në hollin e Kuvendit, para se të niste seanca. Ajo fillimisht ka kaluar kontrollin, por më pas është arrestuar. Derisa, deputetja tjetër e VV-së është arrestuar në tualet, pasi gjithashtu dyshohet se edhe asaj i është gjetur sprej.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...