Matoshi: Mustafa evitoi dhunën, trimëroi deputetët kundërshtues

1 Shtator 2016 - 18:50      

Analisti politik në Kosovë, Halil Matoshi, i tha Radios Evropa e Lirë, se kryeministri Mustafa me tërheqjen e projektligjit për Demarkacion e ka evituar dhunën e paralajmëruar, por njëkohësisht ka trimëruar, siç tha, edhe deputetët e koalicionit që të mos e votojnë as në të ardhmen këtë ligj.

Sipas tij kjo shënon zmbrapsjen e qeverisë dhe krizën e saj të thellë dhe me këtë Kosova, siç tha, “po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme”.

REL: Çfarë nënkupton tani tërheqja e projekt - ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi?

Matoshi: Kryeministri i Kosovës e bëri hapin e duhur në këtë moment pasi disa faktorë ishin kundër projektit të Qeverisë së Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Gjithashtu edhe mospjesëmarrja e Listës Serbe në seancë e vështirësoi procesin në këtë çështje. Siç duket, ata ende janë besnik ndaj Beogradit i cili në preambulën e Kushtetutës së Serbisë e ka ende Kosovën.

E dyta, duket sheshazi se LDK dhe PDK nuk i kanë të gjithë deputetët të rreshtuar pro projektit të tyre, gjë që konsiderohet se është dështim i liderëve partiakë. E treta, është presioni publik jo vetëm i opozitës por edhe shumë qarqeve tjera edhe akademike edhe shoqërisë civile. Dhe kjo ka ndikuar që ligji për ratifikimin e marrëveshjes është tërhequr. Mendoj se Isa Mustafa e ka evituar dhunën e paralajmëruar sot, por nuk e di si do ta çoj më tutje këtë ligj, pasi kjo e trimëron jo vetëm opozitën por edhe deputetët brenda pushtetit dhe koalicionit qeverisës, që të mos e votojnë as në të ardhmen këtë ligj.

REL: A është kjo shtyrje apo është tërheqje e plotë e projekt -ligjit për demarkacionin me Malin e Zi?

Matoshi: Unë mendoj se sot ka ndodhur shtyrja, por nuk është kalkuluar mirë se çka është shtyrja. Sepse shtyrja i motivon të gjitha palët të mos e votojnë në të ardhmen demarkacionin me Malin e Zi dhe ky demarkacion ose duhet të ri negociohet me palën malazeze, ose të shkohet në gjykatën e arbitrazhit.

REL: A po hyn Qeveria e Kosovës në krizë dhe a po përgatitet Kosova njëkohësisht për zgjedhje të reja.

Matoshi: Unë mendoj se me tërheqjen e një projekti Qeveritar, është zmbrapsje e qeverisë. Kjo shënon krizën e saj fatale dhe unë mendoj se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...