Megjithatë, të hënën procedohet me vendimin për viza për kosovarët

1 Shtator 2016 - 18:29      

Raportuesja e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek dhe raportuesja për liberalizim të vizave, Tanja Fajon, kanë shprehur keqardhjen e tyre “me shtyrjen, në Kuvend, të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi”.

Në llogaritë e tyre në rrjetin social Twitter, Lunacek dhe Fajon, kanë porositur se megjithatë “votimi në komitetin LIBE të Parlamentit Evropian do të bëhet ditën e hënë të javës së ardhshme”.

Raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek, ka shkruar se i vjen shumë keq për shtyrjen e votimit për demarkacion me Malin e Zi në Parlamentin e Kosovës.
“Parlamenti Evropian është serioz në mbështetjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave. Kosovës i duhet t’i përmbushë kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave. Tanja Fajon planifikon të procedojë votimin në LIBE për të hënën.

“Kosova duhet të përmbushë të dyja kriteret e mbetura për liberalizim të vizave” shkruan Lunacek duke shtuar se “Fajon planifikon të ecë tutje me votimin në komitetin LIBE [Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme]”.

I njëkohshëm ka qenë edhe reagimi i Tanja Fajon, raportueses për liberalizim të vizave të Parlamentit Evropian.

“Më vjen keq për shtyrjen e votimit për demarkacion në Parlamentin e Kosovës. Duhet të jemi të gjithë të njëzëshëm për të ecur përpara me marrëveshjen për demarkacion. Mbes e vendosur për procesin. Plani im është të shkojmë tutje me votimin për liberalizimin të vizave për Kosovën të hënën. I kërkoj Kosovës të përmbushë kushtet e mbetura për liberalizim të vizave. Tani topi është te Kosova”, ka thënë Fajon në Twitter, përcjell Koha.net.

Komiteti për të drejtat civile, drejtësi dhe çështje të brendshme, LIBE, është paraparë që të votojë të hënën, më 5 shtator, për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke i hapur kështu rrugën Parlamentit Evropian që të votojë për të njëjtin proces.

Komiteti LIBE ishte paraparë të votonte për Kosovën në korrik të këtij viti, por shtyu votimin në shtator me shpresën se politikanët e Kosovës do të gjejnë një zgjidhje për demarkacionin, përcjell REL.

Qeveria e Kosovës e tërhoqi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, të enjten, me arsyetimin “e rrethanave të pafavorshme të krijuara dhe tensioneve në vend”.

Kuvendi u mblodh më 1 shtator për të diskutuar për demarkacionin dhe për ta votuar marrëveshjen përmes protestave që u organizuan në rrugë nga Lëvizja Vetëvendosje.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...