Më 7 e 8 shtator, Tirana shndërrohet në kryeqytetin e të drejtave të njeriut

1 Shtator 2016 - 11:06      

TIRANË, 1 Shtator/ATSH/-.Për dy ditë me radhë, Tirana do të shndërrohet në kryeqytetin e të drejtave të njeriut. Avokati i Popullit, Igli Totozani, në funksionin e Presidentit të Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Mesdheut (AOM), së bashku me Shoqatën e Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë (AOMF), Federatën e Ombudsmanëve të vendeve Ibero-Amerikane (FIO) dhe Institutin Ndërkombëtar të Ombudsmanit (IOI) bashkëorganizojnë konferencën e nivelit të lartë “Sfidat e Institucioneve të Ombudsmanit përballë flukseve të përziera migratore” në Hotel “Tirana International” më 7–8 shtator 2016.

Konferencën e nderon me pjesëmarrjen e saj, Kate Gilmore, Zv. Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Në këtë konferencë ndërkombëtare do të diskutohet mbi sfidat e flukseve të refugjatëve dhe migrantëve, në përpjekje për të gjetur një përgjigje të përbashkët përballë situatës së personave që kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare.

Për herë të parë, katër organizatat përfaqësuese ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut mblidhen në një konferencë të përbashkët, për të dalë me një zë unik mbi një nga krizat më të dhimbshme njerëzore, atë të emigrantëve.

Presidentët e katër organizatave botërore të Ombudsmanëve, Marc Bertrand, President i AOMF-së (Shoqata e Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë), Prof. José Francisco De Faria Costa, President i FIO-s (Federata Ibero-Amerikane e Ombudsmanëve), John Walters, President i IOI-së (Instituti Ndërkombëtar i Ombudsmanëve), si dhe Igli Totozani, Presidenti i Shoqatës së Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Mesdheut (AOM), në fund të ditës së parë të konferencës do të nënshkruajnë edhe një memorandum bashkëpunimi.

Ndërsa në përmbyllje të dy ditëve të punimeve të konferencës, konkluzionet do të përfshihen në një deklaratë të përbashkët, e cila do të quhet “Deklarata e Tiranës për Migracionin”.

Konferenca është organizuar në katër panele diskutimi gjatë ditës së parë të punës, ku do të diskutohen çështje si, mbrojtja e emigrantëve të parregullt referuar shërbimeve publike dhe atyre private; integrimi i diasporave të reja në vendet pritëse: emigrantët jo si kërcënim, por si mundësi; ssistenca ndaj grave, fëmijëve, personave me aftësi të kufizuar, të sëmurëve dhe të moshuarve; kundërveprimi ndaj gjuhës së urrejtjes dhe ksenofobisë: ligjërimi i përdorur nga qeveritë dhe ligjërimi i gjerë publik; kundërveprimi ndaj diskriminimit dhe trajtimit degradues.

Ky event parashikon të bëjë bashkë përfaqësues të nivelit të lartë të organizatave ndërkombëtare, institucioneve të specializuara, institucioneve të ombudsmanit si dhe përfaqësues të qeverive, komunitetit diplomatik dhe shoqërisë civile, në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...