Policia apelon që nesër protestuesit të përmbahen nga veprimet e dhunshme

31 Gusht 2016 - 16:49      

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë për medie ku thotë se nesër duhet të protestohet qetë, pa incidente, në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

Më poshtë mund të lexoni komunikatën e plotë:

Informacione lidhur me zhvillimet për 1 shtator 2016 dhe ndërmarrja e masave të nevojshme ligjore nga Policia e Kosovës, për garantimin e rendit dhe sigurisë së përgjithshme.

Me qëllim të informimit të opinionit publik lidhur me protestën e paraparë të mbahet nesër me 1 shtator 2016, në Prishtinë gjatë zhvillimeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës, protestë e cila megjithatë nuk është e lajmëruar ashtu siç parashihet me procedurat dhe Ligjin mbi tubimet publike, Policia e Kosovës me kohë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, duke hartuar planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas këtyre zhvillimeve.

Qëllimi i planit (urdhrit) operativ është:

Mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike dhe zbatueshmëria e Ligjit në vend.

Ndërmarrja e masave të nevojshme parandaluese, operative policore për të siguruar që mbarëvajtja e tubimimit/protestës të kaloj e qetë dhe pa incidente dhe pjesëmarrësit të jenë në gjendje të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

Garantimi i lëvizjes së lirë dhe shprehjes,

Mbrojtja e jetës, pronës dhe pasurisë së qytetarëve dhe asaj shtetërore.

Ndërmarrja e masave ligjore ndaj veprimeve të kundërligjshme dhe luftimi i dukurive negative që mund të shkaktojnë jo stabilitet në vend, që në çfarëdo mase do të rrezikonte Rendin, Qetësinë dhe Sigurinë Publike.

Gjithashtu Policia e Kosovës është e mandatar me ligj dhe Kushtetutë të krijoj kushte në aspektin e sigurisë për funksionimin normal të institucioneve shtetërore, në rastin konkret edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi dhe APELON tek të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen nga çfarëdo veprim i dhunshëm, i cili mund të shkaktojë pasoja në vetë protestuesit dhe tek zyrtarët policorë, të cilët kujdesen për rend dhe siguri publike.

Policia po ashtu u bën APEL edhe qytetarëve dhe bizneseve të cilët nuk janë pjesë e protestës, por janë në afërsi të ambientit ku mund të zhvillohet kjo protestë, të jenë të kujdesshëm për shkaqe sigurie.

Gjithashtu me qëllim të mundësimit të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive që kanë gazetarët edhe krijimin e një ambienti sa më të favorshëm për ta, rekomandojmë që të gjithë gazetarët të jenë të pajisur me shenja (apo xhaketa) dalluese “PRESS” apo nëse parashihet ndryshe, në mënyrë që identifikimi dhe qasja e tyre të jetë më e lehtë në funksion të marrjes së informacioneve reale dhe përcjelljes së të gjitha zhvillimeve që mund te konsiderohen të rëndësishme për publikun dhe mediet.

Policia e Kosovës, falënderon të gjithë qytetarët për mirëkuptimin e shprehur dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të treguar me zyrtarët policor gjatë realizimit të detyrave policore.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...