Foto: Koha

Flasin familjarët e 6 të arrestuarve për sulmin ndaj Kuvendit

31 Gusht 2016 - 12:14      

Familjarët e 6 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të arrestuar ditën e djeshme si të dyshuar për organizimin dhe kryerjen e sulmit me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, kanë mbajtur një konferencë për media para stacionit policor Qendër në Prishtinë.

Në mesin e familjarëve ishte edhe aktivistja e Vetëvendosjes, Tinka Kurti, e cila tha se Policia po dëshiron të ua mëveshë këtë sulm aktivistëve, por tha se janë vetë familjarët që do të tregojnë të vërtetën.

Ramiz Arifi, babai i Atdhe Arifit, ka thënë se gjatë bastisjes kanë marr armën, që ka qenë pronë e tij.

“Kanë dashur t’ia mëveshin djalit, gjë që nuk është e vërtetë”, tha Arifi, i cili është edhe veteran i UÇK-së, raporton Koha.net.

Ndërkaq, Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, gjithashtu i arrestuar ditën e djeshme, tha se kanë gjetur armë, por ato armë janë kujtim nga djali që i ka vdekur.

“Do të kërkoj të më kthehen armët”, deklaroi ai.

Rilind Haliti, vëllai i Egzon Halitit, tha se arma e konfiskuar nga Policia ka qenë trashëgim nga babai i tij.

“Helmetat kanë qenë personalisht të miat. Egzoni as që di të ngas motorin. Vëllai im nuk ka lidhje me sulmin fare”, theksoi Rilindi.

Më tej, Ramizi, babai i Atdheut, tha se policia ka qenë korrekte, por shtoi se një femër shtatzënë që ka qenë në banesë tek ta, ka pësuar trauma.

Rilindi thotë se kanë pasur dëme në banesë gjatë bastisjes.

Ndërkaq, Dehari thotë se hyrja e Policisë ka qenë brutale, “nuk e dija a janë hajnat a policia”.

Adea Batusha, Astrit Dehari, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Frashër Krasniqi dhe Petrit Ademi janë gjashtë aktivistët e arrestuar ditën e djeshme me dyshimin se kanë organizuar dhe kryer sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në orët e mbrëmjes së 4 gushtit të këtij viti.  

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...