
30 Gusht 2016 - 15:20
Basri Musmurati, sekretar i Përgjithshëm i PDK-së, i ka thënë KosovaPress-it se vendimi për votim të demarkacionit është marrë më herët, ndërkohë sot është votuar për zgjedhjen e kryetarit të ri të Grupit Parlamentarë të PDK-së.
“Vendimi për mbështetjen e demarkacionit është marrë më herët. Sot vendosëm për kryetarin e ri të Grupit Parlamentar. Zenun Pajaziti do të jetë kryetar i ri i GP të PDK-së”, ka thënë Musmurati.
Në një komunikatë për media, PDK vlerëson se i gjithë spektri politik duhet të jetë i bashkuar për çështjet me rëndësi nacionale, siç janë demarkacioni dhe çështje tjera që forcojnë shtetësinë tonë.
“Partia Demokratike e Kosovës konsideron se partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare është jetik për fuqizimin e shtetit tone, por edhe për proceset e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës. Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, me fokus të veçantë në gjendjen aktuale të sigurisë, thekson se demokracia jonë duhet të jetë e bazuar në respektimin dhe zbatimin e rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim mbështetë punën institucionale të organeve përgjegjëse si dhe mbështetjen nga institucionet ndërkombëtare të pranishme në vendin tonë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës thotë se me shqetësim të madh i ka përcjellë ngjarjet e sotme, ku zyrtarë dhe militantë të Lëvizjes Vetëvendosje janë arrestuar me dyshime në lidhje me sulmet e armatosura kundër institucioneve të Kosovës, konkretisht Kuvendit të Kosovës.
PDK, me këtë rast, ka ftuar organet e rendit dhe ligjit që të ndërmarrin të gjithë hapat ligjorë kundër të gjithë atyre që “nëpërmjet metodave dhe aksioneve para-militare kanë degraduar sigurinë në vend dhe kanë cenuar lirinë e secilit qytetar të Kosovës”.
“Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe dhe me besimin më të madh të qytetarëve në vend, do të kundërshtojë fuqishëm forcat destabilizuese dhe do të jetë garant e funksionimit të shtetit të pavarur dhe sovran. Çdo veprim që bie ndesh me ligjin, që cenon lirinë, sigurinë dhe jetën e qytetarëve, do të jetë i dënueshëm”, theksohet në komunikatë.
PDK thotë se do të jetë përherë aktive dhe e përgjegjshme për veprimet e veta dhe në koordinim me tërë spektrin politik që respekton rendin kushtetues dhe ligjet e Kosovës, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, “do të angazhohet plotësisht për fuqizimin e shtetit tonë, për mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve tanë, pa dallim”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...