Foto: Koha

RTK, sulmin ndaj drejtorit të saj e lidh me Vetëvendosjen [video]

29 Gusht 2016 - 19:09      

Pak kohë do t’u duhej hetuesve kibernetikë të Policisë së Kosovës, për të kuptuar prej ku dërgohen këta e-maila nga Rugovasit, të cilët kanë marrë përsipër katër sulme në muajin e fundit.

Por, Policia ende nuk ka të arrestuar për asnjërin nga sulmet e fundit, atë në ndërtesën e Kuvendit, të RTK-së, në shtëpinë e Murat Mehës dhe së fundmi edhe sulmi në shtëpinë e drejtorit të RTK-së, raporton KTV.

KTV-ja ka pyetur për hetimet e këtyre rasteve në Polici, por Zyra për Media nuk ka kthyer përgjigje.

Sulmi i fundit, në shtëpinë e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, Mentor Shala, ka ndodhur të dielën në mbrëmje.

Menaxhmenti i RTK-së sulmin e ka vlerësuar si metodë terroriste.

“Ky gjest vlerësohet si përshkallëzim i dhunës, kërcënim dhe aplikim i metodave terroriste në qasjen ndaj transmetuesit publik. Ne vazhdojmë të besojmë se gjuha e urrejtjes, e përdorur nga forca të ndryshme politike, sidomos nga Lëvizja ‘Vetëvendosje’, paraqet rrezik real dhe kërcënim serioz për funksionimin normal të transmetuesit publik”, thuhet në reagimin e RTK-së.

Kurse, Vetëvendosja, e përmendur në reagimin e menaxhmentit të RTK-së, ka reaguar duke thënë se ajo nuk i përkrah sulmet e tilla, por që vazhdon të besojë se menaxhmenti i mediumit publik është i kapur, sipas saj, nga “Klani Pronto”.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka nevojë për mbrojtje nga grupe të tilla, ngase bombat nuk i kontribuojnë kauzës sonë. Ne besojmë që rruga për të çliruar institucionet nga kapja prej partive në pushtet është protesta publike paqësore dhe gjithëpopullore”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.

Për sulmin kanë reaguar edhe dy sindikatat e RTK-së, si dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke kërkuar nga organet e rendit që të zbardhin rastin dhe të nxjerrin para drejtësisë kryesit e kësaj vepre kriminale.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës e ka quajtur sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së mediave dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë.

Sulmin e kanë dënuar edhe institucione të tjera dhe partitë tjera opozitare. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...