Program kombëtar për trajnim e certifikim auditorësh të brendshëm në sektorin publik

29 Gusht 2016 - 14:45      

Prishtinë, 29 gusht - Pas kërkesës nga Njësia Qendrore Harmonizuese e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Financave, kjo Njësi është akredituar nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për Programin kombëtar për trajnim dhe certifikim të auditorëve të brendshëm në sektorin publik.

Në kuadër të programit të Qeverisë dhe kërkesave për reforma, që dalin nga Strategjia e kontrollit të brendshëm të financave publike, Ministria e Financave, përkatësisht NjQHAB, për herë të parë ka përgatitur Programin kombëtar për trajnim dhe certifikim të auditorëve të brendshëm në sektorin publik, transmeton Koha.net.

Siç u shpreh ministri i Financave Avdullah Hoti, Programi që është akredituar sot nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve është në funksion të rritjes së kontrollit të shfrytëzimit të parasë publike. Ai po ashtu sqaroi se ky program parasheh trajnimin dhe certifikimin e auditorëve të brendshëm të sektorit publik, në të cilin do të marrin pjesë auditorët e brendshëm që janë të punësuar në sektorin publik, si dhe të interesuarit të tjerë brenda dhe jashtë institucioneve.

Janë bërë të gjitha përgatitjet dhe programi do të fillojë më 5 shtator, në dy grupe me nga 32 kandidatë, bëri të ditur ministri i Financave, Hoti. Siç tha ai, ky program është tepër i rëndësishëm, sepse për momentin kemi kapacitete të kufizuara të auditorëve të brendshëm në institucionet publike. Nga 154 auditorë të brendshëm, që i kemi në të gjitha ministritë, vetëm 68 janë të certifikuar si auditorë të brendshëm, të tjerët duhet t’i nënshtrohen trajnimeve dhe certifikimeve, shtoi ministri Hoti.

“Me këtë program mundësojmë që fokusin ta zhvendosim prej auditimit të rregullsisë, e cila ndodhë tani, pra që është auditim që nënkupton se a po kryhet shpenzimi i parasë publike sipas ligjit, tek auditimi i performancës, për të parë që a po arrihen efektet maksimale nga shfrytëzimi i parasë publike”, tha ministri i Financave Avdullah Hoti.

Drejtoresha e Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve Teuta Danuza, tha se “Ministria e Financave me njësinë përkatëse, i është nënshtruar procesit të akreditimit, duke përmbushur të gjitha kriteret e cilësisë dhe duke fituar kështu një akreditim për një periudhë 3 vjeçare, pra që nga viti 2016 deri në vitin 2019”.

“Është e rëndësishme që përmbajta e trajnimeve të auditorëve të brendshëm është në përputhje me kriteret dhe standardet cilësore dhe standardet evropiane. Pra, duke mundësuar dhe duke synuar përmirësimin e auditorëve të brendshëm në shërbimin civil të Kosovës”, shtoi znj. Danuza.

Ajo gjithashtu tha se synim i Autoritetit Kombëtar i Kualifikimeve është që të rinjtë tanë të pajisen jo vetëm me kualifikim formal apo zyrtar, por edhe me njohuritë, shkathtësitë dhe kompetencat në përputhje me profilin profesional për të cilën kualifikohen.
Drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese, Kosum Aliu, bëri të ditur se Programi është i ndarë në pjesën teorike, ku parashihen ligjëratat dhe ushtrimet, të cilat zgjasin 25 ditë, si dhe në pjesën praktike ku zhvillohen trajnime konkrete dhe auditime konkrete në teren, të cilat zgjasin dy muaj dhe kryhen nën mbikëqyrjen e auditorëve, të cilët janë të certifikuar brenda institucioneve publike.

Numri i pjesëmarrësve që do t’i nënshtrohet këtij programi është 127. Prej tyre 86 janë nga institucionet publike, dhe nga auditori i brendshëm 41 të interesuar të tjerë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...