KMDLNj: Serbët të kthehen në Mushtisht, shqiptarët në veri

29 Gusht 2016 - 10:55      

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar lidhur mos lejimin e serbëve që të vendosen në Mushtisht, duke thënë se ata kanë të drejtë në pronat e tyre, ashtu siç kanë të drejtë 12 mijë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga veriu i Mitrovicës.

“KMDLNj konsideron se e drejta për kthim për personat e zhvendosur në pronat e tyre është njëra ndër të drejtat elementare e të drejtave të njeriut e garantuar me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut dhe si e tillë nuk mund të kushtëzohet me asgjë. Pra, e drejta për kthimin e personave të zhvendosur dhe e drejta e shfrytëzimit të pronës së tyre është e drejtë e patjetërsueshme dhe nuk mund të kushtëzohet me vendime politike, as në bazë të përkatësisë etnike, fetare, gjendjes materiale, statusit shoqëror dhe as me implikime eventuale në veprime kriminale siç janë krimet e luftës dhe krimet kundër popullatës civile. E drejta për kthim për personat e zhvendosur nuk mund të bëhet në mënyrë selektive; dikujt i lejohet kurse tjetrit i mohohet. E drejta për kthim është e drejtë e njeriut kurse në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut n uk vlen parimi i reciprocitetit por parimi i universalitetit të këtyre të drejtave”, thuhet në njoftimin e KMDLNJ-së.

Sipas tyre, njëri ndër standardet kryesore e të drejtave të njeriut është e drejtë për kthim e të gjithë personave të zhvendosur, pa bërë dallim në baza etnike e të tjera.

“Ky kthim duhet të jetë i pakushtëzuar, ndërsa autoritetet lokale dhe qendrore duhet ta ndihmojnë këtë kthim dhe integrimin e të kthyerve në shoqëri. Kthimit të personave të zhvendosur duhet t’i paraprijë komunikimi midis atyre që duan të kthehen dhe palës pranuese (popullatës shumicë kryesisht) e jo të krijohen situata konfrontuese të panevojshme sikur ndodhi në Mushtisht midis Policisë së Kosovës dhe protestuesve”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas KMDLNj, në këtë rast ka dështuar vullneti dhe veprimi politik.

“KMDLNj përkrah fuqishëm nxjerrjen para organeve të drejtësisë të gjithë atyre që planifikuan, urdhëruan, nuk penguan apo bënë krime kundër civilëve të pafajshëm në Mushtisht duke ofruar materiale dhe dëshmi për këto krime dhe në këtë kontekst e kupton shprehjen e pakënaqësisë dhe kërkesën e drejtë të banorëve të Mushtishtit për drejtësi për viktimat e pafajshme, si e drejtë e njeriut por kërkon që të ndahen këto dy procese siç janë e drejta për drejtësi dhe e drejta për kthim të personave të zhvendosur. Askush nuk ka të drejtë që në emër të realizimin të një të drejteje të ligjshme, të shkel një të drejtë tjetër, gjithashtu të ligjshme. KMDLNj u bën thirrje politikanëve që me deklaratat e tyre mos ta tensionojnë situatën sikur që edhe të mos keqpërdoren pelegrinazhet fetare për qëllime politike”, thuhet në fund të njoftimit. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...