Foto: Koha

Si përgjigje ndaj akuzës për neokomunizëm, Vetëvendosje ia kujton Mustafës funksionin komunist

29 Gusht 2016 - 10:17      

Vetëvendosje ka reaguar sot ndaj një deklarate të mbrëmshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës, sipas të cilës “deputeti Çaushi dhe Vetëvendosje janë duke u përpjekur të shkaktojnë gjakderdhje”. Deputeti Çaushi dje ia kujtonte kryeministrit Isa Mustafa 70 dosjet që e presin në prokurori.

Në reagimin e sotshëm të Vetëvendosjes thuhet:

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ende nuk është deklaruar në lidhje me përgjimet e klanit Pronto, me shpejtësi drite paska reaguar ndaj deputetit Driton Çaushi, i cili ia përmendi Isa Mustafës 70 dosjet që tash e sa kohë i ka në Prokurori. Dosje këto, që LDK-në e futën në koalicion me ata që i akuzonte për vrasjen e aktivistëve të saj.

Në një komunikatë ku gërshetohen injoranca, hipokrizia dhe praktika e servilizmit, LDK paska deklaruar se deputeti Çaushi dhe Vetëvendosje janë duke u përpjekur të shkaktojnë gjakderdhje, duke harruar se nuk ka gjë më institucionale sesa të burgoset ai i cili ka 70 dosje për krim e keqpërdorim. Ndërsa, nga paniku i jashtëzakonshëm për rënien në elektorat në gjithë vendin, LDK e cila në komunikatën e saj përmend edhe neokomunizëm, harron se kryetari i saj ka qenë shërbyes i zellshëm i sistemit komunist jugosllav dhe anikombëtar i shquar.

LDK, e cila mori në mbrojtje Adem Grabovcin për punësimet e jashtëligjshme, qenka shërbyer me listën e PDK-së për “punësimet” e Shpend Ahmetit, të cilën e përgënjeshtruan vetë eksponentë të kësaj të fundit. Teksa në anën tjetër, në Komunë të Prishtinës dhe borde të ndërmarrjeve vazhdojnë punën familjarë të zyrtarëve të LDK-së e militantë të saj, të punësuar gjatë keqqeverisjes 14 vjeçare të LDK'së dhe klanit të Hamitëve.

Kjo parti me një kryetar pakurrizor, e cila tradhtoi elektorartin e saj, duke i hyrë nën sqetull PDK-së dhe ShIK-ut, vazhdon të përtypë shpifje e broçkulla të ndryshme, dhe merr mund të flasë për perspektivën evropiane dhe miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët, teksa nuk bëzajti kur Hashim Thaçi tallej me po këta.

E kapur në njërën anë nga Hashim Thaçi, e në anën tjetër nga Kadri Veseli, të prirë nga degraduesi i Prishtinës, Isa Mustafa, LDK po ecë sigurt drejt humnerës. Dhe, kjo padyshim është ndihma më e mirë për perspektivën e Kosovës, - përfundon reagimi i Vetëvendosjes. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...