LDK: Çaushi po përpiqet të shkaktojë gjakderdhje në Kosovë

28 Gusht 2016 - 19:32      

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të nënkryetarit të VV-së, Driton Çaushi kundër Isa Mustafës, ka thënë se Çaushi është i njëjtë sikur Zani Çaushi, krimineli më i famshëm shqiptar i vitit të errët 1997 në Shqipëri.

Ata kanë thënë se Driton Çaushi po tenton të shkaktojë gjakderdhje në Kosovë, transmeton Koha.net.

Ata kanë thënë se Çaushi ka derdhur vrer mbi ish-ambasadoren amerikane Jacobson.

Më poshtë mund të lexoni reagimin e plotë të LDK-së:

Lidhja Demokratike e Kosovës reagon ndaj deklaratës së eksponentit të VV-së, Driton Çaushi, i cili ashtu si kolegu i tij Molliqaj, dëshmoi sot edhe njëherë se kjo parti dëshiron që të rrëmbejë pushtetin për të futur në burg kundërshtarët politikë, për të larguar nga vendi ambasadorët perëndimorë dhe për të persekutuar gazetarët dhe qytetarët e tjerë që nuk pajtohen me idetë e tyre neokomuniste.

Me fjalorin dhe idetë e tij kriminale të shpërfaqura sot, Driton Çaushi ka dëshmuar se ka të njëjtat qëllime si Zan Çaushi i Vlorës në vitin 1997, dhe në fakt, duke parë veprimet e deritashme VV po përpiqet të shkaktojë të njëjtën gjakderdhje në Kosovë.

Çaushi ka risjellë në kujtesë akuzat e fabrikuara e imagjinare të bashkëpartiakëve të tij në Komunën e Prishtinës, njerëzve që kanë punësuar në kundërshtim me ligjin mbi 200 hedhës molotovësh, kanë mbushur me militantë shkollat e çerdhet, ndërmarrjet komunale... Ai dhe shokët e tij me prirje piromane e shkatërrimtare, e dinë fort mirë se “70 dosjet” e famshme janë pjellë e imagjinatës së tyre e asgjë më shumë.

Çaushi, në një tekst gërditës ka derdhur sërish tërë vrerin e tij histerik duke denjuar ta përmend edhe Ambasadoren e nderuar Jacobson, të cilën ai dhe shokët e tij kriminalë e sulmuan fizikisht, e bënë me shenja dhune duke ofenduar krejt popullin e Kosovës.

Çaushi dhe sekti i tij antikosovar e antiperëndimor ka hyrë në fazë krize histerike, andaj populli i Kosovës duhet të mos bie pre e përpjekjes së tyre për të shkatërruar atë që gjenerata të tëra të popullit tonë e kanë ndërtuar për shumë dekada.

Zan Çaushët e VV-së nuk do të mund të zhbëjnë shtetin e Kosovës, nuk do të mund të ndalin liberalizimin e vizave, nuk do të mund të lënë Kosovën shtet të izoluar, nuk do të mund të prishin miqësinë e përhershme me SHBA-të, nuk do të mund të shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve tanë...

Dritoni, Dardani, dhe krejt Zan Çaushët tjerë të VV-së e kanë vendin në “burgun e historisë” ku e kanë futur veten me përpjekjet që, për përfitime politike dhe ambicie personale, të shkatërrojnë perspektivën e qytetarëve.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...