Çaushi pyet se a i ka harruar “Isa i vogël” 70 dosjet në prokurori

28 Gusht 2016 - 17:33      

Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar pas postimit të kryeministrit Mustafa në lidhje me luftimin e korrupsionit.

Çaushi ndër të tjera ka përmendur 70 dosjet e Mustafës në prokurori, për të cilat thotë se ia ka përmendur edhe ish-ambasadorja amerikane Tracy Jacobson, transmeton Koha.net.

Më poshtë mund të lexoni të plotë reagimin e Çaushit:

Sot Isa Mustafa paska shkruar një hartim në të cilin ky autor i patalentuar tregon se si populli i Kosovës korrupsionin e paska problem kulturor, e se si ky popull më shpesh e më shpejt fajëson (pushtetin) për korrupsion, se sa që e vërteton atë korrupsion. Këto "perla diturie" Isa i vogël autor hartimesh i paska dëgjuar nga një ndërkombëtar imagjinar (që si gjithë këshilluesit imagjinarë, i bie të jetë i madh).

A ka harruar Isa për 70 dosjet në prokurori, të cilat ia ka përmendur edhe ambasadorja joimagjinare Jacobson? Ato 70 dosje faktojnë në mënyrë fizike (por jo shteruese) korrupsionin e Isës dhe të të tijve.

A e ka harruar Isa faktimin e korrupsionit në aferën Pronto, të cilat janë përgjime të mbledhura prej ndërkombëtarëve joimagjinarë të EULEX-it? Ato përgjime tregojnë se si shefat e Isës në PDK e kanë kapur çdo instancë publike, prokurorinë, gjykatat, policinë, e bordet e çdo ndërmarrjeje.

Korrupsioni, i nderuar hartim-shkrues, nuk është mit apo defekt kulturor i kombit tonë. Është zakoni kriminal i pushtetit tuaj, që prej luftës e deri sot, e dorën në zemër, për do prej jush, korrupsioni ka qenë zakon edhe para luftës.

Korrupsioni juaj ka shkatërruar industrinë e punësimin, përmes privatizimeve katastrofale të fabrikave. Ka shkatërruar bujqësinë dhe ekonominë, përmes ryshfeteve të megaimportuesve në dogana. Ka shkatërruar jetët e qytetet, përmes lejeve absurde që i keni dhënë ndërtuesve të parregullt. Ka shkatërruar drejtësinë, me gjykatat, prokurorinë e policinë që tërësisht është në mbrojtje të interesave të pushtetit. Ka shkatërruar arsimin duke prodhuar analfabetizëm te nxënësit e te mësuesit e punësuar nga partia, ka shkatërruar mjekësinë e cila sot është pa barna për faj të tenderëve.

Por korrupsioni ka rregulluar jetët tuaja, shtëpitë e ranchet tuaja ku qytetari nuk guxon as të afrohet për të protestuar. Ka bërë me biznese familjarët tuaj, ka bërë me diploma prestigjioze fëmijët tuaj. Korrupsioni ju ka mundësuar juve edhe të "loboni" madje në qendrat e pushtetit botëror, ku paguani paratë e bukës së Kosovës së pangrënë, për të blerë një rrahje shpatullash prej ndërkombëtarëve.

Korrupsioni juaj po e kthen Kosovën në shkretëtirë Isë. Lëri hartimet, se në burg do të kesh mjaft kohë për të shkruar, meqenëse leximet siç duket nuk i ke dhe fort për zemër.

LEXONI ÇKA KA SHKRUAR MUSTAFA

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...