Foto: Koha / arkiv

Komuna fajëson mësimdhënësit për ndihmë në kopjim gjatë testit të Maturës [video]

27 Gusht 2016 - 19:17      

Rreth 8 mijë e 500 maturantë që kanë dështuar të kalojnë në afatin e parë, por edhe nga vitet e kaluara, i janë nënshtruar pjesës së parë, në afatin e dytë të Testit të Maturës.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, gjatë vizitës në shkollën e mesme "Gjin Gazulli", në Prishtinë, ka thënë se ky afat është më lehtë i menaxhueshëm për shkak të numrit më të vogël të maturantëve që i nënshtrohen testit, raporton KTV.

Por, ai ka shtuar se është pamundur që të ketë kontroll të plotë, përkundër se shumë njerëz që kanë qenë të përfshirë në kopjim nga interneti janë ballafaquar me organet e rendit.

“Kemi menduar edhe që të ndërpremë internetin në nivel kombëtar, për kohën e maturës, bashkë me këto kompanitë, por kjo nuk mund të bëhet pa shpalljen e një gjendje të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, sepse bëhet kufizim i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, siç është e drejta për informim”, ka deklaruar ministri i MASHT, Arsim Bajrami.

Ndërkohë, drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, Arbërie Nagavci, si shqetësues e ka përmendur faktin se edhe mësimdhënësit e angazhuar si vëzhgues, e keqpërdorin detyrën, duke ua mundësuar nxënësve kopjimin.

“Pos përpjekjes së disa nxënësve për të kopjuar, që ndoshta mund të jetë edhe e kuptueshme, është shumë dëshpëruese puna apo angazhimi i disa mësimdhënësve në kopjim apo në ndihmë nxënësve për të kopjuar”, tha Nagavci.

Ajo ka thënë se Komuna e Prishtinës u ka dërguar letër mësimdhënësve për t’i vënë në dijeni të pasojave në rast se zihen duke keqpërdorur detyrën e tyre.

Ndërkohë, maturantët që i janë nënshtruar testit kanë thënë se ka pasur ndryshime në pyetje, përderisa masat parandaluese për kopjim, sipas tyre, kanë qenë më strikte.

Megjithëkëtë, sikur edhe herëve të tjera, në internet, përsëri kanë rrjedhur pjesë të testit.

Përderisa në pjesën e parë, maturantët u janë përgjigjur pyetjeve në lëndë të përgjithshme, më 3 shtator, në pjesën e dytë, të afatit të dytë testit, ata do të testohen në lëndët e drejtimeve përkatëse.

Ndërkohë që ministri Bajrami, ka njoftuar se ata janë koordinuar me universitetet publike dhe kolegjet private, që afati i dytë për pranimin e studentëve të hapet pas publikimit të rezultateve të testit të maturës.

Afati i parë i Testit të Maturës, ishte mbajtur më 4 dhe 18 qershor. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...