Protestuesit në Pejë: Demarkacioni zhbëhet me protesta

27 Gusht 2016 - 15:42      

Nga tubimi që është mbajtur të shtunën në sheshin e Pejës kundër vijës kufitare me malin e Zi, të propozuar nga Komisioni Shtetëror i Kosovës, është dërguar mesazh në adresë të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, se nëse ratifikohet ai dokumenti me 1 shtator në Kuvendin e Kosovës, nuk do të kalojë pa pasoja.

Këtë e bëri të qartë përfaqësuesi i këshillit organizativ të këtij tubimi, Ali Lajçi, i cili tha se deputetët e Parlamentit të Kosovës duhet ta mendojnë nëse e kalojë atë vijë kufitaret propozuar, se Kosova do të ketë tensione, do të ketë krizë politike dhe do të ketë rezistencën e llojeve dhe formave të ndryshme.

“Ai version i demarkacionit nuk paraqet vullnetin e qytetarëve dhe nuk paraqet sovranitet. Prandaj edhe do ta zhbëjmë me të gjitha format e mundshme institucionale dhe vija të tjera të rezistencës. Dhe këtë duhet ta dinë të gjithë qeveritarët”, u shpreh Lajçi, para rreth tre mijë qytetarëve pjesëmarrës në këtë tubim. Kaq qytetarë përafërsisht ishin të pranishëm, sipas disa policëve që po bënin sigurimin e këtij tubimi.

Lajçi tha se aty nuk ka shumë filozofi se Kosova po humbë territor të saj, prandaj, siç shtoi ai, territori duhet të mbrohet dhe Kuvendi i Kosovës është fjala e fundit. Sipas Lajçit, është obligim moral ta mbrojnë territorin e shtetit, për të cilin janë bërë sakrifica të mëdha.

“Deputetët i lusim si sovran i popullit që të mos bien në ndikime politike e partiake, por të bien nën ndikimin e konceptit politik, shtetëror e kombëtarë të kufijve atje ku duhet me qenë në Qafë të Çakorri, në Kullë dhe në Moknë. Ndër këto pika nuk ka askush legjitimitet me nënshkrua vija kufitare. Prandaj i lusim deputetet e Kosovës, që me 1 shtator të jenë të vëmendshëm, të dinjitetshëm dhe të jenë përfaqësues të integritetit territorial të Kosovës dh të mos e votojnë atë version të demarkacionit”, kërkoi Lajçi nga parlamentarët që ta m,bnajnë dorën poshtë kur votohet.

Edhe përfaqësuesi i Klubit të Intelektualëve të Rugovës, Mujë Rugova, ka kërkuar nga deputetët e Kosovës që të mos e votojnë versionin e propozuar për demarkacion nga komisioni shtetëror, i cili siç tha ai nuk do të pranohet në asnjë mënyrë.

“Jemi mbledh në këtë shesh t’i themi jo komisionit shtetërorë dhe institucioneve shtetërorë dhe nuk e pranojmë në asnjë mënyrë propozimin e demarkacionit me Malin e Zi. Komisioni Evropian ka marr vendim në vitin 1992 që kufijtë e republikave dhe krahinave autonome janë të paprekshme, prandaj lëvizja e kufirit në dëm të Kosovës është i papranueshme. Kjo qeveri dhe këtyre njerëzve që janë në këtë shtet po u themi se ky propozim nuk shkon”, ka thënë Rugova.

Ndërsa, Islam Husaj kryesuesi i Kuvendit Komunal të Pejës, qytetarëve të mbledhur në këtë tubim, u ka treguar për dy konkluzionet që i ka sjellë ky Kuvend, një në marsin e vitit të kaluar dhe tjetri në marsin e këtij viti, për kufirin demarkacionin me Malin e Zi. Konkluzionet janë nxjerrë në dy takimet e jashtëzakonshme, që janë mbajtur pas shqetësimeve të ngritura nga popullata dhe për mos transparencën e punës së Komisionit Shtetëror të Kosovës për procesin e përcaktimit të vijës kufitare.

Husaj i ka lexuar konkluzionin e marsit të fundit, që është nxjerrë në takimin e jashtëzakonshëm të asamblesë, që është mbajtur pasi ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga kishte formuar komisionin ndërkombëtar për kufirin me Malin e Zi.

Ndër pikat në atë konkluzion ka qenë edhe kërkesa që komisioni duhet të marr parasysh seriozisht shqetësimet e qytetarëve, faktet historike gjeografike, autoktone, sipas të cilave, Husaj tha se besohet se dëshmojnë mjaftueshëm se pikat kufitare janë Qafa e Çakorrit dhe Kulla e Zhlepit.

Lutje për mos ratifikimin e këtij versioni të demarkacionit me Mlin e Zi, kanë adresuar edhe përfaqësuesit e nëndegëve në Rugovë të subjekteve politike të AAK, LDK, LVV dhe PDK, si dhe përfaqësuesit e komunitetit rugovas, të Potgurit dhe të banorëve të komunave Dukagjinase që kanë tokat në atë zonë kufitare.

Në emër të veteranëve të luftës së UÇK-së, ka folur Pren Marashi, i cili nuk i ka lutur deputetët e Kosovës që të ratifikojnë dokumentin e demarkacionit. “Unë nuk dua ti lus deputetët, por po ua kujtoj obligimin dhe betimin që e kanë dhënë se do të jenë në shërbim të popullit. Ata e kanë këtë për obligim moral, kombëtar edhe intelektual”, tha Marashi. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...