27 Gusht 2016 - 10:45
Basha ndodhej prej dy ditësh në Dibër, duke treguar kështu rëndësinë që PD-ja po i kushton fushatës elektorale për këtë bashki. Ndërsa pas disa vitesh ftohjeje të marrëdhënieve, në krahun e Bashës, është shfaqur ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj. Rruga e Arbrit ka qenë dhe kryefjala e diskutimit të Bashës, i cili ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se prishi marrëveshjen me kompaninë kineze për ndërtimin e rrugës së Arbrit. “Kam ndjekur programin e prioritetet që ka shpalosur Sherefedini dhe nesër si kryeministër do mbështes çdo projekt të kryebashkiakut të Dibrës. Vitin tjetër ne do jemi në pushtet dhe do përfundojmë të gjitha projektet duke përfshirë këtu edhe rrugën e Arbrit. Fatkeqësia më e madhe për Dibrën, Shqipërinë e Rrugën e Arbirt ishte “Rilindja” që varrosi këtë rrugë, siç varrosi çdo projekt për Shqipërinë. Ai i bën rrush e kumbulla paratë e buxhetit.
Ai i harxhon për fasada e orendi, mobilime e godina qeveritare. S’ka bërë asnjë rrugë, ato që iu thotë ju janë gënjeshtra dhe gënjeshtrat e tij janë përçmimi për dibranët. Mençuria dibrane është virtyt kombëtar, ti mbash me gënjeshtra do të thotë ti përçmosh", tha Basha para mbështetësve. Duke u ndalur tek kreu i qeverisë, Basha tha se “Rama duhej t’u kishte kërkuar falje dibranëve për ishkryebashkiakun e tij që pati deklaruar se do të rilindte Dibrën, por u shpreh se PD-ja ka sjellë në Dibër birin e saj për më shumë punësim, dinjitet, pasi ai është njeriu i punës dhe jo i fjalëve”. “Erdhi në Peshkopi e nuk iu kërkoi falje dibranëve, e shau dhe e fyeu ish-kryetarin e tij, a thua se nuk ishte ai që tha se Xhelili do rilindte Dibrën. Nuk iu tha pse e hoqi Canin nga ministër i Financave.
E hoqi se iu bë pengesë për të vjedhur taksat me koncesionin e vëllait të tij. Nuk iu tha pse u prish projekti me kinezët për rrugën e Arbrit, por ai e shpalli tre herë se u mbyll kontrata dhe punimet nuk filluan, sepse deshi pazare por pazari u prish me kinezët, për pazar iu prish rruga e Arbrit. Për Skavicën nuk u tha gjë, sepse është korruptim me turqit. Sot ka një arsye, një emër që shpreh respektin tim dhe PD për Dibrën, Sherefedin Shehun që ka nderuar Shqipërinë”, tha ndër të tjera Basha. Sakaq kandidati Sherefedin Shehu shpalosur programin e tij për zhvillimin e Dibrës, me një theks të veçantë në infrastrukturë. Shehu premtoi ndërtimin e rrugës së Arbrit, stadiumin e Korabit, një rrjet të ri ujitës për bujqësinë, rikonstruksionin e fasadave të qytetit dhe qendrës kulturore, ndërtimin e rrugëve të fshatrave. Ndërsa si prioritetin e tij, Shehu ka përmendur fuqizimin e industrisë minerare, ujin e pijshëm për qytetin dhe ndihëm ekonomike për fermerët dhe blegtorët. “Ulja e taksave dhe tarifave për banorët e bashkisë së re të Dibrës do të jenë gjithashtu prioritete”, u shpreh kandidati i djathtë.
PS: Shehu me 5 apartamente në Tiranë
Në përfundim të mitingut të PD-së në Dibër, PS ka reaguar ndaj deklaratave që kreu i opozitës bëri gjatë takimit ku prezantoi në Dibër kandidatin për kryetar bashkie. Sipas selisë rozë, Basha nuk tregoi asnjë gjë të re për qytetarët e Dibrës, por fjalët që i përsërit prej tre vitesh. Në deklaratën e PS-së thuhet se, ky takim u mbajt në të njëjtën sallë ku u prezantua kandidati i majtë dhe se qytetarët kanë mundur që të bëjnë dallimin mes programit që vërtetë ndikon në jetën e tyre dhe atij që mbështetet në gënjeshtra e mashtrime. Duke theksuar se Sherefedin Shehu nuk mund të jetë përfaqësojë dibranët për shkak të jetës së tij prej të pasuri në Tiranë, PS-ja i drejton edhe disa pyetje kreut të PD-së për disa çështje siç është ajo e rrugës së Arbrit. “Sot komuniteti dibran pati mundësinë të bënte dallimin mes takimit dinjitoz të koalicionit qeverisës për prezantimin e Muharem Ramës dhe mitingut me ulërima të PD-së për prezantimin e Sherefedin Shehut.
Në të njëjtën sallë, shumica qeverisëse foli për çka është bërë dhe do të bëhet për Dibrën duke nxjerrë në pah vlerat e një qytetari të nderuar si Muharrem Rama; ndërsa PD-ja shau, shpifi dhe iku pasi ngriti në qiell një kandidat të ardhur me telekomandë nga ‘Shqupi’ në Dibër, pasi ka vënë në zotërim gjatë jetës së tij në Tiranë plot 5 apartamente”, thuhet në deklaratën e PS-së, duke vijuar më tej me disa pyetje drejtuar selisë blu për pretendimin e saj se dibranët janë mashtruar nga “Rilindja” për ndërtimin e rrugës së Arbrit. “Ku mendon Lulzim Basha se do t'i gjejë aq shumë dibranë jo budallenj që gënjehen nga llafet e tij?! Ku do t'i gjejë Lulzim Basha aq shumë dibranë që të besojnë se PD-ja e la gati rrugën e Arbrit?! Ku do t'i gjejë Basha aq shumë dibranë që të besojnë se varfërinë, papunësinë, rrënimin shumëvjeçar në Dibër e solli Rama për tre vjet?!”, thuhet në deklaratë.
Mustafaj: Pleqtë e nënshtruar u kanë zënë vendin të rinjve
Në këtë takim prezantues të kandidatit të djathtë për bashkisë Dibër ishte i pranishëm edhe Besnik Mustafaj, i cili rikthehet pas nëntë vitesh në politikën aktive. Në fjalën e tij para mbështetësve të djathtë, Mustafaj tha dje se Rama do një Shqipëri me pleq të nënshtruar, ndërsa kandidatin Shehu e quajti një kthim të shpresës për të rinjtë e mashtruar sipas tij nga qeveria. “Në këto ditë shoh në fytyrat tuaja kthimin e shpresës si në 1990. U shpërndaftë kjo erë e mirë në të gjithë Shqipërinë. Në këtë lum njerëzor që ka vërshuar sot këtu shoh që shumica janë të rinj, janë lulja e rinisë dibrane. Këta djem dhe vajza janë burimi i mrekullueshëm i lindjes së shpresës”, tha Mustafaj. Sipas tij, frika, korrupsioni dhe mashtrimi qeveritar kanë sjellë dëshpërimin e rinisë dibrane. Ai akuzoi qeverinë se po zbraz Shqipërinë nga rinia për t’ia dorëzuar atë pleqve të nënshtruar.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...