26 Gusht 2016 - 19:04
Vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, pas vitit 2011, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me dy vepra penale kundër Adem Grabovcit, deputet dhe ish-udhëheqës i Grupit Parlamentar të PDK-së.
Prokuroria thotë se ka dyshime të arsyeshme se Grabovci ka kryer vepër penale: keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës, lidhur me nenin 81 të këtij Kodi.
“Sipas njohurive të deritanishme të Prokurorit të Shtetit, Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave,” thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Sipas Prokurorisë, Gabovci dyshohet gjithashtu se kundërligjshëm ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve në punësim, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu, ka dyshim të arsyeshëm se Grabovci, me veprimet e përshkruara më lartë, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme, ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike ”.
Ai dyshohet se këtë vepër e ka bërë në bashkëkryerje me persona të tjerë të paidentifikuar deri më tani.
Sipas Prokurorisë, hetimi kundër Adem Grabovcit është një hetim fillestar dhe varësisht nga rezultati, në ndjekjen penale të prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat tjerë, për të cilët do të vërtetohet se kanë bashkëpunuar me të pandehurin.
Vendimi i prokurorisë për fillimin e hetimit është bazuar në publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike të Grabovcit, në gazetën online “Insajderi”, si dhe në disa prova të pranuara nga EULEX-i, që në bazë të urdhrit gjyqësor, janë realizuar gjatë zhvillimit të një hetimi tjetër kundër tij nga prokurori i EULEX-it.
Ndërkohë, në katër bisedat e radhës të publikuara nga “Dosja e Shefave” shpërfaqet ndikimi i Grabovcit që kishte edhe në sektorin e Shëndetësisë dhe Institucioneve të tjera.
Aty zbulohet servilizmi i një doktori për t’i shërbyer shefit kurdo dhe në çdo kohë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...