
26 Gusht 2016 - 15:05
Nënkryetari i parë, Dardan Sejdiu, dhe deputetja e nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, përveç se folën për gjendjen e rëndë të transmetuesit publik RTK, kërkuan reagim nga asociacionet dhe organizatat e shoqërisë civile në lidhje me padrejtësitë e këtij mediumi ndaj opozitës, pasi që ditëve të fundit iu mohua e drejta e paraqitjes kryetarit të Vetëvendosjes, Visar Ymerit, transmeton Koha.net.
Nënkryetari Sejdiu tregoi se RTK i mohoi Ymerit paraqitjen në emisionin ‘Debat’ të Ridvan Berishës, ndonëse fillimisht kryeredaktori Xhymret Veliu ishte përgjigjur pozitivisht për zyrën e mediave të Vetëvendosjes. Ai tha se kjo ishte ndërhyrje e menaxhmentit të RTK-së, që kishte marrë këtë vendim “për shkak të gjuhës kritike ndaj RTK-së nga ana e Vetëvendosjes”.
“Ky vendim është dëshmi që deklaratat tona ndaj RTK-së janë të vërteta. RTK është kapur nga Qeveria dhe klani Pronto dhe është shndërruar në televizion që mbron krimin e organizuar qeveritar në Kosovë. Politikat redaktoriale të televizionit tonë publik bëhen nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Kadri Veseli”, u shpreh nënkryetari Sejdiu, i cili po ashtu ftoi organizatat e shoqërisë civile dhe asociacionet që të reagojnë ndaj këtij rasti.
Kritika të ngjashme kishte edhe në fjalën e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti, e cila përmendi rastin e sulmit me bombë në RTK, të cilin sulm RTK e lidhi me Vetëvendosjen, teksa Prokuroria e Policia ende nuk kanë gjetur fajtorët.
“RTK është bërë si shtëpi për Qeverinë dhe klanin Pronto. Kur Isa Mustafa mbanë konferencë për të gënjyer popullin, RTK e transmeton direkt në gjitha kanalet e saj. Kur Hashim Thaçi i drejtohet qytetarëve për t’i mashtruar e frikësuar, RTK e transmeton direkt në gjitha kanalet e saj. RTK i shfaq direkt kërcënimet dhe gjuhën ofenduese të Isa Mustafës e Hashim Thaçit, kurse i pengon kritika racionale dhe e drejtë e Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi ndër të tjera, deputetja Dërguti.
Duke e quajtur RTK-në propagandues të drejtpërdrejtë të Qeverisë dhe duke e krahasuar këtë rast me vendet autoritare, u kërkua reagim dhe mobilizim ndaj padrejtësive të tilla.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...