Foto: Koha

Prokuroria Speciale nis hetimet rreth përgjimeve kundër Adem Grabovcit

26 Gusht 2016 - 14:56      

Prishtinë, 26 gusht - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës sot ka marrë vendim për fillimin e hetimeve lidhur me dy vepra penale kundër Adem Grabovcit, deputet dhe ish-udhëheqës i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Njoftimi vjen nga Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit hetimi kundër Adem Grabovcit është një hetim fillestar dhe varësisht nga rezultati, në ndjekjen penale të Prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat tjerë, për të cilët do të vërtetojë se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Grabovci, transmeton Koha.net.

Vendimi për hetim është bazuar në ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se i pandehuri Adem Grabovci, si person zyrtar, deputet dhe kryetar i grupit parlamentar të PDK-së, gjatë vitit 2011 e tutje, ka shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e tij zyrtar për ta siguruar pushtetin politik dhe ndikimin mbi procesin e vendimmarrjes brenda institucioneve, agjencive qeveritare dhe ndërmarrjeve publike të Republikës së Kosovës. Sipas njohurive të deritanishme të Prokurorit të Shtetit, Grabovci, me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo persona të tjerë, me dashje ka shkelur ligjet dhe procedurat e punësimit dhe përzgjedhjes së drejtorëve dhe anëtarëve të trupave menaxhuese të ndërmarrjeve publike, të agjencive të pavarura dhe institucioneve të tjera, duke siguruar në këtë mënyrë punësimin kundërligjor për një numër të caktuar të personave.

Në bazë të këtyre veprimeve të Grabovcit, Prokuroria Speciale ka krijuar dyshim të arsyeshëm se ai ka kryer veprën penale në vazhdim: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 81 të këtij Kodi. Ai dyshohet se këtë vepër e ka bërë në bashkëkryerje me persona të tjerë, të paidentifikuar deri më tani.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, po ashtu, ka dyshim të arsyeshëm se Grabovci, me veprimet e përshkruara më lartë, gjatë vitit 2011 e tutje, në mënyrë të kundërligjshme ka mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve tjerë të vendit për punësim dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet tjera pozitive, u ka dhënë përparësi personave të favorizuar mbi bazat e përkatësisë së tyre politike gjatë punësimit nëpër institucionet publike të Republikës së Kosovës. Në këtë mënyrë ka diskriminuar të drejtat për punësim të qytetarëve tjerë në bazë të kushteve të barabarta, të cilat janë paraparë me ligj.

Grabovci dyshohet, po ashtu, që e ka kryer veprën penale në bashkëkryerje: Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës” nga neni 193 paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me nenin 31 dhe 81 të këtij Kodi.

Vendimi i prokurorisë për fillimin e hetimit është bazuar në publikimet e përgjimeve të bisedave telefonike të Grabovcit, në gazetën online “Insajderi”, si dhe në disa prova të pranuara nga EULEX-i, që në bazë të urdhrit gjyqësor janë realizuar gjatë zhvillimit të një hetimi tjetër kundër tij nga prokurori i EULEX-it.

Hetimi kundër Adem Grabovcit është një hetim fillestar dhe varësisht nga rezultati, në ndjekjen penale të prokurorisë do të përfshihen të gjithë personat tjerë, për të cilët do të vërtetojë se kanë bashkëpunuar me të pandehurin Grabovci.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...