Në Brazil lobime për njohjen e Kosovës [video]

25 Gusht 2016 - 19:27      

Qeveria e re në Brazil ka qasje proamerikane dhe ky është një moment që duhet të shfrytëzohet. Një grup personash që po lobojnë për pavarësinë e Kosovës në Rio, thonë se medalja e artë e Majlinda Kelmendit ka shërbyer që populli i Brazilit ta njohë më mirë Kosovën, raporton KTV.

Medalja e artë në Rio, në debutimin historik të Kosovës, është njoftimi më i mirë që i është bërë Kosovës me popullin e Brazilit.

Ky, sipas profesoreshës së historisë bashkëkohore në Universitetin Federal të Rios, Monica Grin, është një moment që duhet shfrytëzuar për të lobuar për pavarësinë e Kosovës në Brazil.

Por, mbi të gjitha, ajo sheh shpresë tek qasja proamerikane e qeverisë së re të përkohshme, që mund të shërbejë pozitivisht në raport me Kosovën.

“Qeveria e re e përkohshme, e ardhur në pushtet pas grusht shtetit, mund të ketë interesim më të madh për rajonin e Ballkanit, pikërisht për faktin se është qeveri që ka lidhje më të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sesa qeveria e kaluar. Prandaj, besoj se kjo mund të shërbejë si një pikë kthimi në diskutimet për politikën e marrëdhënieve ndërkombëtare të Brazilit. Prandaj, ky është një moment i mirë për të parë se në çfarë mënyre do të rreshtohet kjo qeveri e re përballë Kosovës. Vëmendjen për Kosovën do të provojmë që ta marrim nëpërmjet ministrit të ri të jashtëm, Jose Serra. Dhe mënyra tjetër për të tërhequr vëmendjen është pikërisht fakti që Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në Lojërat Olimpike në Rio dhe ka fituar medalje të artë. Ngjarja ka shumë vizibilitet dhe njerëzit kanë nisur të interesohen se për çfarë vendi bëhet fjalë”

Grin ka qenë në Kosovë dy herë me një projekt të British Council dhe ka thënë se është e impresionuar me interesimin e studentëve të saj në Rio për historinë e Kosovës.

“Ishte shumë interesante sepse me të vërtetë nuk dinin shumë dhe studentët janë sensibilizuar për historinë dhe për ndikimin e luftës së Kosovës. Sidomos, kanë dëgjuar e janë interesuar për gratë e dhunuara në luftë dhe tema të ngjashme që lidhen me të drejtat e njeriut. Këto janë të rëndësishme, meqë janë studentë të historisë. Ajo që na ka munguar deri më tash ishin pikërisht burimet nga vetë Kosova. Besoj se në të ardhmen shumë studentë do të vijnë personalisht në Kosovë, për të kryer tema të disertacionit dhe të ngjashme.”

Në pritje të miratimit të projektit në Prishtinë, grupi lobues në Brazil planifikon organizimin e tryezave dhe ngjarjeve të ndryshme në atë shtet, për të folur me politikanë, anëtarë të shoqërisë civile dhe media për Kosovën dhe pavarësinë e saj.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...