Simiq: Lista Serbe mund të mos marrë pjesë në votimin për demarkacion

25 Gusht 2016 - 16:17      

Kryetari i Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Slavko Simiq, i tha Radios Evropa e Lirë se deputetët serbë mund të „mos marrin pjesë në procesin e votimit të demarkacionit“.

Ai tha se Lista Serbe „po vazhdon ta shqyrtojë mundësinë e pjesëmarrjes në votimin e ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion“, megjithëse e cilësoi si „një proces të ndërlikuar por të rëndësishëm për qytetarët që jetojnë jo vetëm në Kosovë“, transmeton rel.

Kuvendi i Kosovës, pritet që të votojë projekt ligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, më 1 shtator, përkundër kundërshtimeve të fuqishme të partive politike opozitare.

„Deputetët serbë mund të mos marrin pjesë në këtë proces, sepse për votimin e këtij ligji janë të nevojshme dy të tretat e votave. Kuvendi i ka 120 deputetë prandaj janë të nevojshme 80 vota dhe ne ende po e shqyrtojmë mundësinë nëse do të marrim pjesë në një seancë të tillë".

"Ne jemi të përqendruar në avancimin ekonomik dhe infrastrukturor të mjedisit tonë. Kjo është një temë që nuk na ngarkon së tepërmi dhe në një vit të fundit kemi qenë jashtë gjithë procesit të vendimit për këtë cështje të rëndësishme dhe me interes vital“, tha Simiq.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit më Malin e Zi pati shkaktuar një valë reagimesh të partive politike opozitare përmes përdorimit të gazit në Kuvendin e Kosovës, duke penguar votimin e ratifikimit të saj.

Opozita thotë se Kosova po humb territor të saj me marrëveshjen e arritur në vitin 2015, por partitë në pushtet kanë thënë se demarkacioni është kryer mbi dokumentet valide të Kosovës dhe ato ndërkombëtare.

Partitë në opozitë kanë paralajmëruar kundërshtime të forta edhe më 1 shtator kur pritet të votohet demarkacioni në Kuvend.

Përfaqësues ndërkombëtarë u kanë bërë thirrje udhëheqësve politikë në Kosovë që ta votojnë demarkacionin duke respektuar obligimet ndërkombëtare.

Komisioni Evropian në maj të këtij viti, kur hapi rekomandimin për liberalizim të vizave për Kosovën, e futi ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion si kusht për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Parlamenti Evropian pritet që në fillim të shtatorit të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën, në rast se Kuvendi i Kosovës do ta votojë projekt ligjin.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...