25 Gusht 2016 - 15:23
Ali Lajçi, njëri prej anëtarëve të këtij këshilli, i ka ftuar gjithë qytetarët e Kosovës, që të jenë pjesë e këtij tubimi, me arsyen se kufiri me Malin e Zi është kufi shtetëror e jo komunal dhe se duhet të kundërshtohet fuqishëm vija kufitare e përcaktuar nga qeveria e Kosovës.
“Ajo vijë kufitare e cenon integritetin territorial të vendit tonë e që nuk është i pranueshëm për neve”, tha Lajçi. Ai me një theks të veçantë ju drejtua deputetëve të Parlamentit të Kosovës, të cilët sipas Lajçit duhet të tregohen të vëmendshëm, të marrin parasysh të gjithë faktorët dhe analizat e ndryshme, si dhe ta kenë parasysh për komisionin shtetërorë, i cili siç tha Lajçi është një komision politik i formuar për shkaqe të pazareve.
“Ai komision nuk e shpreh dinjitetin e shtetit të Kosovës dhe territorit të vet. Prandaj ne e kundërshtojmë dinjitetshëm, por ata në Parlament duhet të jenë të vëmendshëm që të mos e votojnë këtë version, e qytetarët edhe një herë i thërras që të shtunën masovikisht ti përgjigjen tubimit dhe të tregojnë se vërtet e duam një shtet ashtu si e dëshiron sovraniteti i tij”, u shprehë Lajçi, anëtar i këtij këshilli organizativ, i cili përbëhet nga përfaqësues të komunitetit përgjatë kufirit, gjitha subjektet politike, përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe intelektualë rugovas.
Përfaqësuesi tjetër i këtij Këshilli, Mujë Rugova, tregoi se qëllimi i tubimit që mbahet të shtunën, është që të sensibilizohet populli për propozimin e demarkacionit nga komisioni shtetërorë i Kosovës, i cili sipas tij është jashtë çdo ligji. Edhe Rugova i bëri thirrje deputetëve që gjithë një zëri të votojnë kundër demarkacionit, përndryshe do i lënë trashëgimi, siç tha Rugova, një pikë të keqe familjeve dhe pasardhësve të tyre. Ne këtë konferencë Mujë Rugova komentoi edhe deklaratën e GIS specialist dhe gjeografit, Tomor Çela, për demarkacion, që ka thënë se “Kosova nuk po humbë territor, por Malit të Zi po i rritet territori”.
“Mali i Zi nuk mund të rritet pa u zvogëluar dikush përreth, e në këtë rast po zvogëlohet Kosova. Pse nuk u rrit Mali i Zi në drejtim të Kroacisë, Bosnjës e Serbisë. Por e gjeti këtu. Mirëpo, kjo nuk do të shkojë”, tha Rugova. Çështja tjetër më rëndësi që potencoi Rugova, është uji. Nëse vendoset ai kufij, sipas Rugovës, Zona e Dukagjinit do të bëhet Saharë pas 20-30 vitesh, e kapaciteti i ujit në Drinin e Bardhë do të bie, sepse ujërat që i mbledh pellgu i Moknës i Vaganicës dhe bashkë me Bjelluhën, janë fuqia kryesore që derdhet si sasi ujore në Drinin e Bardhë. “Prandaj ky popull nuk guxon të lejojë që ky Parlament dhe kjo Qeveri të lëshojë territor. Rugova, Podguri dhe Zona e Deçanit janë të vendosura. O sot, o kurrë! Nuk kemi territor me falë”, u shpreh Rugova.
Në emër të komunitetit të fshatrave të Deçanit, që kanë pronë në territorin që kufizohet me Malin e Zi, Hysen Balaj u bëri thirrje gjithë deputetëve, që pa dallim partie, të mos e ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit. Prej tyre kërkoi që llogari ti japin popullit, që ia ka dhënë votën, e jo qeveritarëve të cilët duhet me i dhënë llogari Kuvendit të Kosovës. “Nëse këta deputet duan të dalin serish të kërkojnë një votë a një besim nga populli, duhet të kenë një moral dhe një dinjitet njerëzor çfarë e kanë kërkuar me votën e tyre. Është një moment historik për deputetët se çfarë do të lënë në familjet e tyre brez pas brezi, një tradhti kombëtare apo një votë me moral dhe integritet kombëtar”, u shpreh Balaj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...