
23 Gusht 2016 - 17:29
Në të gjitha proceset e rekrutimit dhe seleksionimit të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës thotë se ka qenë e hapur duke publikuar çdoherë në media dhe internet konkurset, si dhe listat e rezultateve të arritura të kandidatëve nëpër të gjitha fazat e testimit duke filluar nga testi me shkrim e deri te faza finale e përzgjedhjes.
“Të gjitha konkurset dhe punësimet e punonjësve policorë kanë qenë shumë transparente dhe të monitoruara nga misionet ndërkombëtare prezente në Kosove, si dhe të inspektuara nga Inspektorati Policor i Kosovës. Policia e Kosovës në krye me menaxhmentin e saj çdo herë është vlerësuar lartë nga të gjitha institucionet për mënyrën e menaxhimit dhe përzgjedhjes së zyrtarëve më meritor duke ju referuar rezultateve dhe listës meritore, përderisa pohimet e pretenduara i konsiderojmë plotësisht të pavërteta dhe nuk është pranuar asnjë listë apo person sipas deklarimeve dhe publikimeve të përgjimeve”, thuhet mes tjerash në reagimin e PK-së.
“Vlen të potencohet se në Policinë e Kosovës është i punësuar vetëm një zyrtar policor me emrin Gani Nikqi, i cili është punësuar me 12.01.2004, e që nuk ka të bëjë fare me përgjimet e publikuara dhe me kohën e udhëheqjes apo menaxhimit të Drejtori të PK-së z. Shpend Maxhuni. Ndërsa gjatë procesit të rekrutimit dhe seleksionimit në vitin 2011, po ashtu ka qenë në proces një kandidat për zyrtar policor me emrin e njëjtë Gani Nikqi, por i njëjti referuar të dhënave nga Policia e Kosovës, nuk ka arritur që të përmbushë kriteret e parapara, respektivisht të kaloj testet e nevojshme sipas procedurave standarde për seleksionim dhe pranim në Policinë e Kosovës dhe i njëjti asnjëherë nuk është bërë pjesë apo punonjës i Policisë së Kosovës”, pohon Policia e Kosovës.
“Kjo edhe një herë ri-konfirmon faktin se proceduarat e aplikimit, konkurrimit dhe përzgjedhjes në Policinë e Kosovës kanë qenë strikte të bazuara në kritere dhe standarde të avancuara dhe në përputhshmëri të plotë me procedurat e parapara ligjore, që dëshmon realizimin e një procesi mjaft kredibil dhe të menaxhuar në mënyrë profesionale. Kjo qasje e menaxhmentit të PK-së dhe punonjësve të saj jo rastësisht e ka listuar gati çdo herë Policinë e Kosovës si një nga organizatat më të besueshme dhe transparente në vend, si dhe ndër Policinë më profesionale në rajon dhe më gjerë”, theksohet më tej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës thotë se nën udhëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm, Shpend Maxhuni, ka shënuar arritje të jashtëzakonshme si në realizimin e objektivave strategjike të PK-së, në mbajtjen e rendit dhe sigurisë së përgjithshme, e në veçanti në aspektin e zhvillimit dhe profesionalizimit të zyrtarëve policorë përmes trajnimeve konsistente brenda dhe jashtë Republikës së Kosovës, ku zyrtarët policorë janë dekoruar edhe me çmime ndërkombëtare.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe është e gatshme të bashkëpunojë në këtë drejtim edhe me organet e drejtësisë, dhe personalisht Drejtori i Përgjithshëm kërkon nga prokurori i rastit që të hetohen detajisht pohimet e gazetarit të Insajder-it, z. Kajtazi”, përfundon njoftimi i PK-së.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...