Foto: Koha / ilustrim

Shqipëria dhe Kosova frikë nga rritja e islamizmit

22 Gusht 2016 - 21:22      

Popullsitë myslimane të dy shteteve shqiptare të Ballkanit historikisht kanë praktikuar një formë të moderuar të Islamit Suni. Në Shqipëri dhe Kosovë disa njerëz kanë frikë se kjo gjë po ndryshon.

Pavarësisht një tradite shekullore të tolerancës fetare mes popullsisë së Shqipërisë, Shteti Islamik ka gjetur një grup të vogël ndjekësish të devotshëm.

Më shumë se 100 shqiptarë kanë udhëtuar për në Lindjen e Mesme për t’ju bashkuar grupit terrorist, dhe disa prej tyre janë bërë të rëndësishëm atje.

Thirrja e tyre drejt militantizmit islamist është bërë jehonë nga një grup xhamish ultra-konservatore të cilat janë ngritur në Shqipëri në vitet e fundit, disa prej tyre të ndërtuara me ndihmën e organizatave të bamirësisë islamike nga Turqia, Arabia Saudite dhe rajoni i Gjirit Persik, transmeton BalkanWeb.

Në mënyrë ironike, për rreth 50 vjet deri në rënien e Komunizmit në 1990, udhëheqësit marksistë të vendit e shpallën Shqipërinë si shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar zyrtarisht festat fetare dhe duke persekutuar imamët dhe priftërinjtë.

Por rënia e Komunizmit ju dha një mundësi ekstremistëve. Organizatat e bamirësisë Islamike, disa prej tyre të mbështetura nga mbretëritë e pasura me naftë të Gjirit Persik, filluan të ndërtonin xhami dhe medrese. Studentëve të rinj ju ofruan bursa studimi për të studiuar teologjinë nën tutelën e klerikëve fondamentalistë në Arabinë Saudite.

Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka qënë dëshmitare e përhapjes së xhamive të pavarura, që zyrtarisht nuk kanë lidhje me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Mesazhet ekstremiste gjejnë terren të favorshëm në lagjet dhe fshatrat e varfra, ku korrupsioni zyrtar është i lartë dhe papunësia e të rinjve shpesh e tejkalon 40 %.

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani gjatë një interviste për Washington Post u shpreh se: “Feja nuk ka qenë asnjëherë problemi këtu; është edukimi. Është mungesa e një shoqërie të zhvilluar civile. Dhe gjithashtu problemi është varfëria, sidomos në zonat e thella.”

Qeveria shqiptare kohët e fundit ka miratuar ligje që ndalojnë pjesëmarrjen në Shtetin Islamik, dhe shërbimet e sigurimit kanë ndërmarrë masa të rrepta për rekrutët që udhëtojnë drejt Irakut dhe Sirisë. Disa xhami janë mbyllur ose janë detyruar të ndryshojnë udhëheqësit e tyre.

Tre klerikë dhe gjashtë persona të tjerë u dënuan me periudha burgimi deri në 18 vjet në Maj për inkurajim të shqiptarëve për të mbështetur xhihadin e dhunshëm.

Në Kosovë, klerikët ekstremistë dhe asociacionet sekrete të financuara nga Sauditët dhe të tjerë e kanë transformuar shoqërinë myslimane tolerante të një herë e një kohe në një burim të ekstremizmit.

Klerikët e sapo ardhur kërkuan të merrnin kontrollin e Komunitetit Islamik të Kosovës, një organizatë që për shumë breza ka qenë mbrojtësi i formës tolerante të Islamit që praktikohej në rajon.

Organizatat e bamirësisë të sponsorizuara nga Sauditët shpesh paguanin rrogat dhe shpenzimet kryesore, dhe financonin kurse të besimit fetar, si dhe kurse për gjuhën Angleze dhe kompjuterët. Shumë prej tyre u financuan nga Al Waqf al Islami, një organizatë saudite e cila ishte një nga 19 organizatat që u mbyll nga hetuesit.

Shume familjeve ju jepeshin rroga mujore me kusht që të ndiqnin predikimet në xhami dhe që gratë dhe vajzat të mbanin ferexhe.

Fatos Makolli, drejtori i policisë anti-terrorizëm të Kosovës, është shprehur për New York Times se: “Ata promovuan Islamin politik dhe shpenzuan shuma të mëdha parash për ta promovuar atë përmes programeve të ndryshme, kryesisht me moshat e reja dhe me njerëz vulnerabël”.

Rreth 200 Kosovarë përfituan nga bursat e studimit pas luftës për të studiuar Islamin në Arabinë Saudite. Shumë prej tyre u kthyen me një përkushtim misionar.

Kosova tani ka 240 xhami të ndërtuara që në luftën e 1999. Influenca e klerikëve radikalë arriti kulmin e saj me luftën në Siri, ndërsa ata lartësonin virtytet e xhihadit dhe nxitnin të rinjtë për të shkuar atje.

Gjatë dy viteve të fundit policia ka identifikuar 314 Kosovarë, duke përfshirë dy kamikazë, 44 gra dhe 28 fëmijë, të cilët kanë ikur jashtë shtetit për t’ju bashkuar Shtetit Islamik.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Skender Hyseni, kohët e fundit ka qortuar disa nga zyrtarët më të lartë të besimit fetar duke u shprehur se: “Ata po i shkaktojnë një dëm të madh vendit të tyre. Kosova është me Kushtetutë një shoqëri laike. Historikisht ka ekzistuar një tolerancë ndër fetare e pa shprehur mes shqiptarëve këtu dhe ne duam të sigurohemi që kjo të vazhdojë.”

Por nuk do të jetë e lehtë.

*Henry Srebrnik është profesor i shkencave politike në universitetin ‘UPEI’ në Kanada

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...