Tomorri mbledh bektashinjtë shqiptarë

22 Gusht 2016 - 13:23      

Tiranë, 22 gusht - Mijëra besimtarë bektashinj kremtuan sot festën e Abaz Aliut në malin e Tomorrit.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, drejtues vendorë, përfaqësues të huaj, besimtarë bektashinj etj.

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Haxhi Dede Edmond Brahimaj uroi besimtarët për paqe, shëndet e lumturi.

“Në këtë ditë të shenjtë të Abaz Aliut unë uroj shqiptarët dhe besimtarët bektashinj në të gjithë botën që Zoti t’ ju japë dashuri, paqe dhe mirësi për veten dhe njerëzit”, tha baba Mondi.

Duke folur për figurën e Abaz Aliut, baba Mondi u shpreh se “në lartësinë e këtij mali, ne kemi shenjtorin tonë, Abaz Aliun, pavarësisht legjendave ai është realitet i burrërisë përballë frikës, i jetës përballë vdekjes, i burrit dhe i trimit që u identifikua deri në fund me emrin e ndërgjegjes”.

Ministri Klosi në fjalën e tij përshëndetëse i uroi besimtarët bektashinj që këto ditë të shoqërohen nga mirësia dhe të jenë ditë familjarizimi për të gjithë. “Uroj besimtarët bekatashinj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në diasporë për festën e Abaz Aliut. Së bashku me Baba Mondin do të bëjmë gjithçka që ka nevojë ky komunitet, do të përpiqemi të kthejmë pronat e tyre dhe të përmirësojmë infrastrukturën”, tha Klosi.

Ministri Klosi duke vlerësuar harmoninë fetare që mbizotëron në vendin tonë, tha se duhet të punojmë të gjithë së bashku për të jetuar e punuar për një atdhe më të mirë e për një familje më të shëndoshë.

Mijëra besimtarë bektashinj nga data 20-25 gusht kryejnë pelegrinazhin e tyre të përvitshëm në malin e Tomorrit, duke vizituar tyrben e Kulmakut dhe duke bërë rituale të shenjta në nderim të Abaz Aliut.

Besimtarët ngrenë tenda të shumta në pllajat e malit mbi 2 mijë e 400 metra mbi nivelin e detit dhe rreth 200 km rrugë në juglindje të kryeqytetit. Për pesë ditë rresht besimtarët vizitojnë vendet e shenjta, ndjekin ritualet e festës së Abaz Aliut dhe dëgjojnë fjalimet e klerikëve të tyre mbi historinë e shenjtërimit të baba Tomorrit dhe veprat e shenjtorëve bektashinj në të mirë të njerëzve.

Ritet shumëshekullore të besimit bektashi për festën e Abaz Aliut përfshijnë ndezjen e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimin e të hollave pranë objekteve të kultit, flijimin e një deleje apo qingji dhe ndarjen e ushqimit midis besimtarëve.

Ashtu si ndodh edhe me festat e besimeve të tjera, edhe në pelegrinazhin e përvitshëm të baba Tomorrit, harmonia fetare vlen për t’u shënuar. Besimtarë të feve të tjera i urojnë bektashinjve festën e Abaz Aliut dhe madje jo pak prej tyre marrin pjesë në pelegrinazh bashkë me ta.

Bashkëjetesa fetare është një tipar shumëshekullor i shoqërisë shqiptare. Përveç ndalimit të fesë nga regjimi komunist, vrasjes dhe burgosjes së klerikëve dhe shkatërrimit të qindra kishave, xhamive e teqeve, Shqipëria nuk ka shënuar në historinë e saj asnjë konflikt ndërfetar mes njerëzve dhe qeveritë janë kujdesur për liritë fetare dhe për të mbrojtur këto vlera tradicionale të popullit shqiptar.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...