Opozita, e bashkuar kundër demarkacionit, e ndarë për protestë

21 Gusht 2016 - 20:15      

Subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, do të marrin pjesë në seancën e paralajmëruar të Kuvendit të Kosovës, më 1 shtator, në të cilën, ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, do të hidhet në votim.

Përfaqësuesit e të tri subjekteve opozitare, thonë se do të votojnë kundër kësaj marrëveshjeje.

Megjithatë, Ylli Hoxha nga Lëvizja Vetëvendosje thotë për Radion Evropa e Lirë se përpjekjet e këtij subjekti opozitar për ta ndalur ratifikimin e marrëveshjes, përveçse në Kuvend, do të bëhen edhe përmes protestës, të cilën e kanë ftuar për datën 1 shtator.

“Ne konsiderojmë që vendimi për dërgimin e Marrëveshjes së demarkacionit për ratifikim në Kuvend, është rrëshqitje drejt një tradhtie, e cila tash po dëshirohet që të shpërndahet si përgjegjësi në Kuvendin e Kosovës”.

“Si të tillë, e shohim të papranueshme, prandaj kemi thirrur protestë për datën 1 shtator dhe në këtë protestë do të protestojmë edhe në shesh, si qytetarë, por edhe në Parlament, si përfaqësues të popullit. Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet dhe do të përdorim metoda demokratike për ta ndalur këtë proces”, thotë Hoxha.

Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radio Evropa e Lirë, thekson që ky subjekt opozitar e kundërshton ratifikimin e Marrëveshjes për shenjimin e kufirit me Malin e Zi, duke e quajtur atë si qëndrim vetëm të Qeverisë së Kosovës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kundërshton dhe kërkon nga deputetët që të votojnë kundër këtij qëndrimi të qeverisë, sepse konsiderojmë se Kosova po humbë territor, duke u bazuar në ekspertizën e ekspertëve më eminent, madje edhe të atyre që i takojnë pozitës. Ne nuk jemi pjesë e organizimit të protestës. Por, normalisht, është e drejtë qytetare e kujtdo që të dalë në kundërshtim të kësaj marrëveshje”, thekson Isufi.

Zafir Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovën, thotë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e këtij subjekti opozitar do të jenë pjesë aktive në seancën e 1 shtatorit të Kuvendit të Kosovës, për t’i ripërsëritur qëndrimet kundër ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Jemi shumë të bindur që edhe një pjesë e madhe e deputetëve të shumicës parlamentare e kanë kuptuar këtë dhe këtu nuk shihet ndonjë rrezik se kjo marrëveshje do të kalojë. Ndërsa, sa i përket protestës, ajo është thirrur në mënyrë individuale nga Vetëvendosja. Ne i mbështesim protestat paqësore dhe lëvizjet qytetare. Natyrisht që qytetarët mund të marrin pjesë, por ftesa jonë për një protestë, pa qenë pjesë e organizimit, është pak si në dilemë”, shprehet Berisha.

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa, u kanë bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Në këtë funksion kanë qenë edhe porositë që ditë më parë i ka bërë nënpresidenti amerikan, Joe Biden, gjatë qëndrimit në Kosovë. Megjithatë, këto porosi nuk kanë bërë që subjektet opozitare të lëvizin nga qëndrimet e tyre.

Ylli Hoxha thotë se porositë e nënpresidentit Biden, kanë qenë të pritshme për Lëvizjen Vetëvendosje:

“Nuk mund të presësh ndonjë porosi tjetër nga burrështetas të huaj, atëherë kur burrështetasit tanë janë të gatshëm të bëjnë koncesione. Nuk e çajnë kokën se Kosova i humbë 8 mijë hektarë. Pse duhet ta çajë kokën atëherë Joe Biden për këtë çështje?”.

Ahmet Isufi thotë se në parim, marrëveshjet për definimin e kufirit me shtete fqinje duhet të bëhen, dhe angazhimet e miqve janë të mirëpritura. Por, AAK, sipas tij, nuk mund të mbështesë marrëveshje, siç thotë ai, që dëmtojnë Kosovën.

“Ne, normalisht që i mirëpresim angazhimet e tilla, sidomos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë bërë shumë për Kosovën. Por, mendoj se qeveria ka gabuar dhe Komisioni qeveritar ka devijuar nga vija e kufirit. Prandaj, ne konsiderojmë se nuk duhet lejuar që të humbim territor. Ndërsa, sa i përket fqinjësisë së mirë, Kosova duhet ta ketë me të gjitha shtetet fqinje”, deklaron Isufi.

Zafir Berisha e fajëson Qeverinë e Kosovës për situatën e krijuar lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

“Konsideroj që qeveria me qëllim e ka :hargitur këtë çështje deri në këtë situatë që jemi, me idenë që nga presionet pozitive - kushtimisht po them - ta votojmë një version të gabuar”.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është kushti i vetëm i mbetur i Kosovës, plotësimi i të cilit do të siguronte liberalizimin e vizave për Kosovën. Ky kusht, siç kanë theksuar zyrtarët e Bashkimit Evropian, nuk është vendosur tash së voni, por “që nga viti 2012, kur Bashkimi Evropian u pajtua me Kosovën për hartën e rrugës që çonte drejt liberalizimit të vizave”.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...