Foto: Ilustrim

Këta deputetë të koalicionit qeverisës do të votojnë kundër demarkacionit

21 Gusht 2016 - 14:01      

Përderisa po afrohet 1 shtatori dhe mbajtja e seancës, ku pikë e rendit të ditës do të jetë ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, janë shtuar thirrjet e krerëve të lartë shtetërorë, të cilët kërkojnë nga deputetët që ta votojnë atë. Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse do të arrijnë t’i kenë votat e nevojshme për miratimin e kësaj marrëveshjeje. Disa dyshojnë se demarkacioni nuk e ka as përkrahjen e qeverisë, edhe pse Kuvendi do të mbahet më 1 shtator.

Disa deputetë tashmë e kanë ndarë mendjen për të votuar kundër. E disa pre tyre, të cilët e kanë kundërshtuar vazhdimisht versionin aktual të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, tash nuk kanë një përgjigje të prerë nëse do të votojnë pro apo kundër. Andaj, preferojnë që të mos flasin.

Megjithatë, haptazi kundër kësaj marrëveshjeje ka dalë deputeti i PDK-së Ramiz Kelmendi, i cili vjen nga rajoni i Dukagjinit.

“Unë si deputet i zonës ku shqetësimet e emocionet e bashkëvendësve të mi janë shumë të ngritura, kam vendosur që të jem me ta dhe vota ime nuk do të jetë pro. Më shumë e kam si formë solidarizimi me emocionet të cilat janë ngritur. Përsëri i kisha ftuar me këtë rast, që ky debat në parlamentin e Kosovës të ndahet pak. Duhet që liderët politik të partive politike, të jenë pak më gjakftohtë dhe të shohin se çka është interesi më madhor i Kosovës, interesi ndërkombëtar i Kosovës dhe të lihet pak më shumë ballafaqimi i ekspertëve”, thotë ai.

Megjithatë, duke i komentuar deklaratat e Joe Biden, Kelmendi thotë se sugjerimet e miqve amerikanë duhen kuptuar seriozisht dhe demarkacioni duhet të kalojë në njëfarë forme.

“Ky demarkacion duhet të kalojë në njëfarë forme, që ta përmbyllim çështjen kufitare në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Prandaj çdo sugjerim i miqve tanë duhet kuptuar seriozisht. Ai që mendon që mundet t’i shtyjë proceset pa miqtë tanë amerikanë, e ka gabim. Është vetëm duke dashur të përfitojë nga emocionet e qytetarëve për piken kufitare dhe duke dashur që të fitojë vota në emër të këtyre emocioneve të shtuara të qytetarëve tanë. Ka metoda tjera profesionale politike për fitimin e votave siç janë zgjedhjet”, tha ai.

Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Shaip Muja, thotë se vota e tij për demarkacionin do të jetë kundër. Madje ai beson se nuk do të mbahet as seanca e 1 shtatorit, ku në rend dite do të jetë demarkacioni. Sipas tij, kundërshtimet më të mëdha për demarkacionin janë nga pozita. Ndërsa sipas tij, opozita, vetëm po mundohet ta kapitalizojë këtë vepër politike. Ai thotë se demarkacioni nuk e ka madje as përkrahjen e kabinetit qeveritar.

“Në këtë mënyrë nuk duhet të vijë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, derisa ka kundërshtime. Dhe kundërshtimet më të mëdha janë nga pozita, jo nga opozita. Është një lajm i mirë që AAK, një kundërshtues kryesor, ka dhënë sinjale të një bashkëpunimi për të diskutuar pikat kontestuese të cilat janë gjetur nga ekspertët dhe nga opinioni publik se ka gabime në këtë vijë. Prandaj unë nuk e besoj që me 1 shtator do të vijë në ratifikim. Ndërsa lëvizja Vetëvendosje po mundohet ta kapitalizoj këtë vepër politike, si ta quaj, e cila nuk është vepër e saj, por është vepër e ekspertëve, personelit dhe deputetëve të pozitës. Jemi në dijeni se këtë demarkacion nuk e kanë përkrah edhe kabineti qeveritar plotësisht, sipas informatave të sakta që janë edhe opinioneve publike, ka ardhur edhe i pamiratuar nga kabineti qeveritar në parlament. Prandaj pozita është ajo që sjellë fakte më së shumti të bazuara dhe të cilat duhet t’i shohim edhe njëherë. Unë nuk shoh që ka një nguti të vihet me 1 shtator, sepse kemi hapësirë të mjaftueshme për të debatuar dhe njëherë, ose të formohet një komision tjetër i veçantë brenda parlamentit të Kosovës dhe ai komision së bashku me Komisionin Shtetëror dhe ekspertët shtesë ta analizojnë çdo pikë”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj thotë se tashmë ka vendosur që të votojë kundër demarkacionit. I kontaktuar nga KosovaPress-i, Salihaj thotë se bazuar në faktet dhe analizat për demarkacionin, ka ardhur në përfundim se Kosova me këtë marrëveshje humb territor, dhe se për këtë, do të votojë kundër.

“Kam dëgjuar dhe analizuar me vëmendje të gjitha faktet për demarkacionin dhe kam ardhur në përfundim se komisioni shtetëror i Kosovës, ka bërë gabime të pafalshme, duke humbur sipërfaqe të mëdha të territorit të Kosovës. Kështu që vota ime do të jetë kundër”, thotë ai.

Kundër ka vendosur të votojë dhe deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Raif Qela. Qela, i kontaktuar nga KosovaPress-i, tha se votën e tij do ta japë kundër demarkacionit me Malin e Zi.

Ndërkaq Vjosa Osmani dhe Arben Gashi nga LDK, nuk kanë preferuar të përgjigjen se a do të votojnë kundër apo pro, kur demarkacioni të jetë në rend dite në seancë. Edhe deputeti Nait Hasani, tashmë disa herë ka deklaruar se vota e tij do të jetë kundër. Kurse, i kontaktuar nga KosovaPress-i, ai ka deklaruar se tashmë dihet vendimi i tij të cilin e ka thënë shumë herë.

Edhe deputetja e Partisë së Drejtësisë, Labinotë Murtezi, thotë se ka vendosur të votojë kundër, për shkak se Komisioni Shtetëror ka dështuar ta bindë për shumë çështje me bazë ligjore.

“Komisioni Shtetëror i ngarkuar për këtë çështje, nuk është përgjigjur në disa prej pyetjeve që u janë drejtuar pikërisht nga deputetët, e që kanë qenë pyetje kruciale sa i përket çështjes. Ka pasur shumë vërejtje sa i përket bazës ligjore për procesin e demarkimit, shumë kundër-argumente të ofruara nga komisioni profesional, mosrespektimi i procedurave të konsultimit me Kuvendin para se të nënshkruhet, dhe mbi këtë bazë them se kjo formë e demarkacionit nuk duhet të votohet”, thotë ajo.

Kundër demarkacionit do të jetë dhe vota e deputetit Gëzim Kelmendi. Ai tha për KosovaPress-in se mbetet i palëkundur në vendimin e tij, për të votuar kundër demarkacionit. “Vendimi im është i palëkundur. Që nga viti 2011 unë kam thënë se nuk do ta votoj demarkacionin”, ka thënë ai.

Gjithashtu, deputeti Adem Grabovci dhe Xhavit Haliti nga PDK-ja, në prononcimet e mëhershme kanë thënë se me këtë demarkacion, Mali i Zi është futur 5 kilometra brenda territorit të Kosovës.

Ndërkaq, jo të gjithë u besojnë deklarimeve të deputetëve, kur është fjala për votat e tyre, e që kanë të bëjnë me çështje kaq të rëndësishme si demarkacioni me Malin e Zi.

Analisti politik Ymer Mushkolaj, thotë për KosovaPress-in se seanca për demarkacionin është shtyrë për 1 shtator, pasi që koalicioni nuk i ka votat e duhura.

“Do të doja shumë që shtyrja e seancës të shërbente për arritjen e një konsensusi politik dhe shoqëror për demarkacionin. Por siç po shihet kjo shtyrje ka ndodhur pikërisht për shkak të pasigurisë të koalicionit qeveritar, për të fituar vota të mjaftueshme dhe për ta kaluar demarkacionin. Kështu që me këtë logjik unë them se po t’i kishte koalicioni votat do ta miratonte këtë marrëveshje. Por duket se nuk i ka. Në anën tjetër kjo shtyrje i shërben më shumë opozitës për tu organizuar kundërshtimin e kësaj marrëveshje”, tha ai.

Mushkolaj nuk u beson fare deklarimeve të deputetëve të cilët pohojnë se do të votojnë kundër demarkacionit. E arsye për këtë ai thotë të jenë përvojat nga e kaluara, ku ata janë joshur nga ofertat e qeverisë dhe e kanë ndryshuar votën e tyre në momentet e fundit, gjë e cila mund të ndodhë edhe në rastin e votimit të demarkacionit.

“Po që se koalicioni do t’i ketë votat, më 1 shtator do të miratohet. Nëse jo, do të shtyhet pak por prapë do ta miratojnë do ta hedhin në votim siç ka ndodhur me zgjedhjen e presidentit Thaçi. Nuk iu besoj shumë këtyre deputetëve të cilët tash për tash po e kundërshtojnë. Edhe me rastin e zgjedhjes së z. Thaçi president, ne patëm kësi situate. Por duket se ata u joshën nga postet nga privilegjet dhe lëshuan pe. Pse mos të ndodhë edhe tash e njëjta situatë”, thotë ai.

Ndryshe, koalicioni qeverisës i ka 90 deputetë, ndërsa, për votimin dhe kalimin e demarkacionit duhen së paku 80 vota. Sipas burimeve të KosovaPress-it, tani për tani, koalicioni nuk ka më shumë se 73 vota. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...