20 Gusht 2016 - 19:03
Në serinë e 15-të të përgjimeve, që po i publikon gazeta online Insajderi, Grabovci zhvillon tri biseda telefonike me tre persona ende të paidentifikuar për mediat, raporton KTV.
Në njërën, Grabovci bisedon me një zyrtar qeveritar, i cili po fluturonte me avion, për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare në Gjenevë, ku do të takohej me zyrtarë të njësive federale.
Ky i fundit, pasi këmben batuta me Grabovcin, i thotë atij se e ka porositur Rexhep Sahiti nga Lipjani që ta ndihmojë, pasi ka konkurruar në një bord të ujërave, duke aluduar për ndonjë bord menaxhmenti.
Grabovci nuk premton gjë, por e pyet bashkëbiseduesin se a ka filluar punën një person me emrin Afrim, e teksa ai i tregon se ka hyrë në intervistë me shkrim dhe do të intervistohet gojarisht, Grabovci e njofton se Afrimi tashmë është punësuar, për çfarë ai falënderohet.
Në bisedën e dytë, që Grabovci e zhvillon me dikë, të cili ai e quan Beni, ky i flet për një person që kishte qenë pjesë e një bordi, në të cilin kishte dashur të konkurronte sërish, por që konkursi ishte mbyllur.
Meqë konkursi është mbyllur, Grabovci e udhëzon bashkëbiseduesin e tij që personi në fjalë t’i dorëzojë dokumentet e tij për aplikim direkt te sekretari i qeverisë, Fitim Krasniqi, në emër të Grabovcit.
Në bisedën e tretë, Adem Grabovci e udhëzon personin me të cilin bisedon, që të konkurrojë në tri borde, ndërsa ai i tregon që tashmë ka konkurruar në bordin e Ibër-Lepencit dhe të hekurudhave.
Megjithëse bashkëbiseduesi i Grabovcit i tregon atij se i ka përgatitur dokumentet për aplikim edhe në KEK dhe KOST dhe ndonëse Grabovci e inkurajon të aplikojë në sa më shumë borde, ky i thotë se po i vjen mërzi të aplikojë në shumë pozita.
Megjithëse nga këto biseda dhe nga ato paraprake, kuptohet që ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka ndikuar drejtpërdrejt në përcaktimin e bordeve të Ibër-Lepencit, KEK-ut, KOST-it, hekurudhave dhe bordeve të tjera, ende nuk kanë filluar hetime nga prokuroria për këto raste.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...