Preteni: Korrupsionin s’mund ta ndjekin gjykatësit e prokurorët të emëruar përmes pazareve politike

19 Gusht 2016 - 23:27      

Këshilli Gjyqësor i Kosovës në tre muajt e fundit ka regjistruar sërish një bilanc të ultë të rasteve të zgjidhura për korrupsion. Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion thotë se fjala është për veprime stihike pas kërkesave të BE-së për dënim të korrupsion në nivel të lartë.

Kryesisht në nivel të ulët, në tre muajt e fundit departamentet e krimeve të rënda të gjashtë gjykatave themelore kanë zgjidhur në total 93 raste të lëndëve për korrupsion.

Paralelisht prokuroritë kanë dërguar edhe 68 aktakuza të tjera të rasteve për korrupsion.

Besnik Ramosaj, drejtor i Departamentit të Statistikave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se volumi i lëndëve të zgjidhura tregon se ka efikasitet në trajtimin e këtyre rasteve. Sipas tij, efikasiteti matet sa lëndë zgjidhen nga lëndët e pranuara, po në të njëjtën periudhë kohore.

Megjithatë nga lëndët që kanë shënuar regjistrin e rasteve për korrupsion protagonistët sërish janë persona me pozita të ulëta ndonëse rastet e korrupsionit dhe abuzimit me paranë publike në të shumtën janë shifra milionëshe.

Kreu i Agjencisë Kundër Korrupsion, Hasan Preteni, thotë se fjala është për një situatë stihike sa për t’iu përgjigjur kërkesave dhe presioneve ndërkombëtare, por sipas tij nuk ka luftim korrupsioni as llogaridhënie.

“Nuk ka asnjë rast të gjykimit të korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe asnjë rast as në nivel drejtorësh të departamenteve. Fatkeqësisht korrupsioni nuk po dënohet”, i ka thënë Preteni në Radio Kosova.

Preteni thotë se korrupsionin nuk mund ta ndjekin gjykatësit dhe prokurorët, emëruar përmes pazareve politike.

“Nëse një gjykatës hyn me favore nuk mund të pritet që ai të jetë i pavarur dhe të gjykojë drejt as në rastet për korrupsion, sepse ai i jep llogari atyre që e kanë vendos aty. Pastaj numri i aktakuzave nuk figuron, qytetarët nuk e dinë sa aktakuza janë ngrit dhe kundër kujt janë ngrit aktakuza”, ka thënë Preteni.

Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në rastet e zgjidhura në këtë periudhë kohore janë 48 lëndë me aktgjykim fajësues.

Nga të dënuarit në 22 lëndë ka shqiptim të dënimeve me burg, në 14 lëndë dënim me gjobë dhe dy raste me dënime të tjera. Në 21 lëndë aktgjykimet kanë qenë liruese, 11 janë refuzuar dhe 13 të tjera shënohen si mënyra të tjera. Ndërsa 368 lëndë kanë mbetur pazgjidhur në fund të kësaj periudhe raportuese.

Në gjithë këtë vërehet mos harmoni shifrash mes aktakuzave të ngritura, personave të akuzuar dhe atyre të dënuar.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...