Listat e pjesëmarrësve në inaugurimin e “Beau Biden” i bënë Qeveria dhe Ambasada Amerikane

19 Gusht 2016 - 16:15      

Mospjesëmarrja në inaugurimin e rrugës nacionale me emrin e djalit të ndjerë të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, Joseph R. “Beau” Biden III, e deputetëve Vjosa Osmani dhe Shpejtim Bulliqi ka ngritur debatin se kush i hoqi nga lista e të ftuarve.

Në disa medie ishte raportuar se këtë gjë e ka bërë Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke e lidhur këtë direkt me kundërshtimin e tyre për versionin e Qeverisë së Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi, transmeton Koha.net.

Mirëpo një gjë e tillë është përgënjeshtruar nga deputetët të cilët kanë thënë se emrin e tyre e ka hequr nga lista Qeveria e Kosovës.
Ndërsa Ambasada Amerikane për Koha.net ka thënë se ata kanë punuar me Qeverinë e Kosovës për të përpiluar listën e mysafirëve, që do të ishte mostër përfaqësuese e shoqërisë së Kosovës.

Zëdhënësja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, J. Michelle Schohn ka thënë se nuk mund të flasin për individët që nuk janë përfshirë në listën e mysafirëve, duke shtuar se Beau Biden ka qenë i dashur në Kosovë dhe nuk teprohet edhe nëse thuhet se mijëra njerëz dëshironin të ishin në atë inaugurim.

“Ne nuk mund të flasim për cilindo nga individët që nuk janë përfshirë në listën e mysafirëve. Sidoqoftë, Beau Biden ka qenë shumë i dashur në gjithë Kosovën dhe nuk është e tepruar të thuhet se mijëra njerëz do të dëshironin të marrin pjesë në përurimin e rrugës së emërtuar për nder të tij. Pra, Ambasada e SHBA-ve ka punuar me Qeverinë e Kosovës për të përpiluar një listë mysafirësh që do të ishte mostër përfaqësuese e shoqërisë së Kosovës”, ka thënë Schohn për Koha.net.

Ndërsa Qeveria e Kosovës, nëpërmjet këshilltarit për medie i kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë për Koha.net se duke lënë anash ankesat e deputetëve Osmani e Bulliqi, listat e mysafirëve për atë organizim e kanë bërë në bashkëpunim të plotë me Ambasadën Amerikane.

“Qeveria e Kosovës ka një bashkëpunim të shkëlqyer dhe raporte të afërta pune dhe bashkëpunimi me Ambasadën Amerikanë në çdo proces, përfshirë edhe në organizmin e evenimenteve të veçanta dhe organizimeve tjera protokollare. Pa dashur që të merremi me ankesa të personave konkretë dhe trajtimin e pakënaqësive individuale, mund të themi se lista e mysafirëve reprezentativë në këtë ngjarje shumë të rëndësishme është bërë në bashkëpunim të plotë me Ambasadën Amerikane”, ka thënë Faton Abudallhu për Koha.net.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...