19 Gusht 2016 - 10:25
Fluksi i pacientëve që i janë drejtuar Qendrave Shëndetësore të ngritura posaçërisht në zonat turistike nuk ka qenë vetëm në bregdet, por edhe në zonat malore, ka pohuar sot ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë një vizite pune të kryer në Qendrën Shëndetësore të Valbonës, transmeton atsh.
Ministri Beqaj ka theksuar se ndihma mjekësore e ofruar në kohë reale për pushuesit e huaj dhe ata vendas ka qenë e menjëhershme dhe profesionale. “Diçka më shumë se në 8 javë në këtë Qendër Shëndetësore kanë marrë shërbim shëndetësor 1275 persona, çka do të thotë se mysafirët që po i bashkohen çdo vit e më tepër Valbonës, po shijojnë bukuritë që Zoti i ka falur kësaj zone, por edhe falë investimeve të bëra në infrastrukturë, kjo zonë sot është shumë më tepër e vizitueshme”, tha Beqaj.
Po ashtu, Beqaj shprehu besimin se edhe strukturat e ngritura posaçërisht nga Ministria e Shëndetësisë për ofrimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor për pushuesit kanë kontribuuar në mbarëvajtjen e sezonit turistik, duke theksuar se “mysafirë të ndryshëm, vizitorët, turistët e huaj dhe shqiptarë, kanë mundur të marrin një shërbim shëndetësor të shpejtë, të kualifikuar, në mënyrë që të vazhdojnë pushimet e tyre pa krijuar pasoja për shëndetin.”
Ndërsa mjekët e kësaj qendre shëndetësore kanë pohuar se problematikat më të shpeshta të hasura tek pacentët kanë qenë për shkak të ndryshimit të kushteve klimaterike. “Rastet kanë qenë të shumta, hipertensioni kryesisht tek moshat e rritura, kurse tek mosha pediatrike, predominojnë virozat, ftohjet, bronkopneumonitë, të cilat janë si shkak i ndryshimit të klimës. Përveç këtyre, raste të shpeshta janë edhe gastroenteritet, reaksionet alergjike nga ushqimi apo pickimi i insekteve,” ka pohuar Omela Matoshi, mjeke e kësaj qendre.
Drejtori i DSHP-së Tropojë, Avni Boshnjaku, ka theksuar se në këtë qendër ofrohet shërbim shëndetësor edhe gjatë periudhës së dimrit.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...