Mustafa rikujton miqësinë me SHBA-në dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës

18 Gusht 2016 - 14:55      

Përmes një postimi në Facebook, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka rikujtuar miqësinë me SHBA, por ka shtuar se “është shumë e qartë se Kosova duhet të përmbushë obligimet e saj në raport me ratifikimin e demarkacionit si dhe lidhur me marrëveshjet e dialogut në Bruksel”.

Në vazhdim teksti i plotë i postimit të kryeministrit Mustafa:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përkrahës të parezervë të Republikës së Kosovës, por është shumë e qartë se Kosova duhet të përmbushë obligimet e saj në raport me ratifikimin e demarkacionit si dhe lidhur me marrëveshjet e dialogut në Bruksel. Përkrahja e SHBA-ve do të jetë edhe më e fuqishme kur Kosova tregohet partner serioz në përmbushjen e obligimeve të saja ndërkombëtare.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ishte njëra nga temat që zuri vend të rëndësishëm në takimin që dje kisha me zëvendëspresidentin e SHBA-ve, Joe Biden. E njoftova mikun e Kosovës se gjatë këtij mandati kemi ndërmarrë masa të suspendimit nga puna të të gjithë zyrtarëve qeveritarë si dhe lirimin nga pozitat më të larta të të gjithë atyre që janë akuzuar për dyshime për vepra penale në mandatet e kaluara. Janë ndërmarrë masa edhe ndaj zyrtarëve të agjensioneve të pavarura, të tërheqjes vullnetare apo të largimit nga detyra. Ndërkaq është siguruar pavarësi e plotë ligjore dhe kushtetuese e institucioneve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjyqësisë, infrastrukturë fizike e volitshme për punë dhe buxhet me prioritet, në krahasim me fushat tjera. U vlerësua se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është ndër parakushtet themelore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe demokratik të vendit tonë.
Pasdite, afër kampit ushtarak Bondsteel, kamp i cili është simbol i garantit të mbrojtjes dhe të sigurisë në Kosovë dhe me gjerë, morëm pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin Joseph R. “Beau” Biden, III, djalit të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden. Po ashtu, aty ka marrë vend të përhershëm edhe monumenti në përkujtim të kontributit të Joseph R. “Beau” Biden III për Kosovën. Rruga, emërimin e të cilës e promovuam, do ta kthejë shpesh vëmendjen e familjes Biden kah Kosova. Tradita jonë e bënë shtëpinë e kosovarit edhe shtëpi të mikut të tij. Prandaj, familja Biden janë miq të Kosovës.
Zoti e bekoftë miqësinë tonë të përhershme,
Zoti e bekoftë familjen Biden,
Zoti e bekoftë popullin amerikan dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj, përfundon postimi i kryeministrit Mustafa.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...