Për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë 2 milionë dollarë nga shqiptarët në SHBA

18 Gusht 2016 - 14:35      

Prishtinë, 18 gusht - Shqiptarët që jetojnë në Nju Jork kanë kontribuar me 1 milion e 800 mijë dollarë për Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë , u bë e ditur gjatë një pritje të Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, për delegacionin e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, të kryesuar nga zv/kryetari Agim Rexhaj.

“Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Terezë në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, ka kontribuar për 9 vite me 1.800.000 dollarë. Mendojmë që deri vitin e ardhshëm shifra të arrijë në 2 milionë dollarë”, tha Marjan Cubi, raporton ATSH nga Prishtina. Ai është arkëtari i Vatrës dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen e fondeve për ndërtimin e Katedrales ‘Nënë Tereza’ në kryeqytetin e Kosovës.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Gjergji falënderoi dhe vlerësoi lart të gjitha kontributet dhe njoftoi delegacionin e Vatrës me të gjitha punën e kryera në Katedrale si dhe për përgatitjet për koncertit “Himni i Nënë Terezës”, që do të mbahet në Vatikan, në 3 shtator 2016, me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.

E njohur në botë si Nënë Tereza, shqiptarja Gonxhe Bojaxhiu e lindur në 26 gusht 1910 në Shkup, do të shpallet e shenjtë nga Papa Françesku në 4 shtator 2016 në Vatikan.

Ndërkohë, për të shënuar ditëlindjen e saj dhe për të filluar zyrtarisht përgatitjen për shenjtërimin e Nënë Terezës, Infinity Art dhe Ipeshkvia e Kosovës organizojnë ekspozitë me portretet e Nënë Terezës, punime të artistëve të rinj të Kosovës, bëri të ditur sot për ATSH-në zëdhënësi i Ipeshkvisë, Don Fatmir Koliqi.

Ekspozita do të hapet në 26 gusht në ora 10:00 e do të jetë e hapur deri në 28 gusht, prej orës 10:00 deri në 16:00, në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë.

Viti 2016 është Viti i Nënë Terezës në Kosovë, i deklaruar në 15 janar nga qeveria kosovare, e cila më pas në mbledhjen e 22 korrikut vendosi të ndajë mjete financiare me qëllim të mbështetjes së aktiviteteve që lidhen me kanonizimin dhe shpalljen e shenjtërisë së Nënës Terezë.

Kosova ka shpallë 5 Shtatorin “Dita e Bamirësisë – Nëna Terezë”. Për këtë, Kuvendi i Republikës së Kosovës në seancën plenare në 11 korrik, me votim unanim, ka miratuar propozimin e Kryesisë së Kuvendit.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2012 ka shpallë datën 5 shtator, ditën kur kaloi në amshim Nënë Tereza, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Rezoluta e OKB-së bënte thirrje që në 5 shtator, të gjitha shtetet anëtare të OKB-së, organizatat e Kombeve të Bashkuara, organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, shoqëria civile, si dhe individët, të përkujtojnë Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...