Analistët: Edhe pas Bidenit pozicionet rreth Asociacionit e demarkacionit të pandryshuara

18 Gusht 2016 - 13:20      

Përkundër mesazheve të nënpresidentit të SHBA-së, Joe Biden, koalicionit qeverisës me gjasë do t’i duhet deri më 1 shtator të provojë t’i sigurojë votat për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Kjo për faktin se partitë opozitare nuk janë lëkundur aspak nga qëndrimi i tyre për këtë çështje.

Analistët politikë thonë se duhet të shfrytëzohet kjo periudhë për gjetjen e një koncensusim raporton Radio Kosova.

Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe dhe demarkacioni me Malin e Zi, nuk bëhen nga vizita dhe deklaratat e nënpresidentit amerikan Joe Biden, më të mira sesa që kanë qenë deri më tash. Këtë vlerësim e japin zyrtarët e Vetëvendosjes. Zëdhënësi i kësaj lëvizje, Frashër Krasniqi, ka thënë se këto dy marrëveshje janë të dëmshme, ngase me Asociacionin krijohet Republika Serbe brenda Kosovës, ndërsa me demarkacionin Kosova humbë mbi 8 mijë hektarë të territorit të saj.

“Këto nuk po i themi ne. Për “Zajednicën” ka folur edhe Gjykata Kushtetuese, për demarkacionin kanë folur ekspertët dhe banorët, kanë folur edhe vetë deputetët e koalicionit qeverisës. Këto janë fakte që janë dëshmuar. Joe Biden vjen në Kosovë, rrin një apo dy ditë, por pasojat e këtyre dy marrëveshjeve do t’i përjetojnë edhe fëmijët tanë”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.

Krasniqi thotë se Vetëvendosje do të vazhdojë ta kundërshtojë demarkacionin me Malin e Zi në mënyrë shumë intensive brenda dhe jashtë Kuvendit.

Sipas tij, “në rast të insistimit të vazhdueshëm të Qeverisë për ratifikimin e kësaj marrëveshje do të ketë edhe tensionim të situatës, gjë për të cilën Qeveria duhet ta marrë përgjegjësinë”.

Ndërsa, Pal Lekaj nga AAK-ja në një përgjigje për Radio Kosovën ka thënë se kjo parti nuk e mbështetë këtë version të demarkacionit, sikur që edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, vlerëson se është në kundërshtim me Kushtetutën.

Duke parë që partitë opozitare janë këmbëngulëse në qëndrimet e tyre, analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se do duhej të kërkohej një koncensus deri në shtator. Por, sipas tij, koalicioni qeverisës më tepër po kërkon sigurimin e votave, sesa gjetjen e koncensusit.

“Konsideroj se marrëveshja për demarkacionin mund të ratifikohet nëse janë votat, mirëpo është çështje tjetër pastaj se çfarë do të prodhojë ratifikimi i kësaj marrëveshje në kuptimin edhe të polarizimit më të madh politik dhe shoqëror edhe të pasojave që mund të jenë më afatgjata”, tha Mushkolaj për Radio Kosovën.

Sidoqoftë, opozita i vlerëson mesazhet e nënpresidentit Biden për vazhdimin e miqësisë dhe mbështetjen e Kosovës, e sidomos mesazhet për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Zyrtarët opozitarë thonë se ato mesazhe duhet të trajtohen me kujdes të veçantë, porse thonë se duke mbrojtur territorin e Kosovës dhe duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin do iu bëhet nderë së pari qytetarëve të Kosovës, e pastaj edhe miqve ndërkombëtarë.
 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...