Keqmenaxhimi sjell PTK-në buzë falimentimit

14 Gusht 2016 - 12:36      

Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), dikur kompania më profitabile në vend, me mbi 2 mijë të punësuar, po përballet me rënie drastike të të hyrave.

Bazuar në raportin vjetor të vitit 2015, kompania ka vazhduar më rënie, rreth 20 milionë euro më pak se në vitin 2014. Nga 104 milionë euro të planifikuara pas rishikimit, Telekomi ka realizuar 84.3 milionë euro, apo 20% më pak, transmeton kosovapress.

Sipas ekspertëve kjo ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit edhe më të madhe që është duke u bërë nga Bordi dhe kryeshefi Ekzekutiv i kësaj kompanie, Agron Mustafa, duke kërkuar nga qeveria që të ndërhyjë.

Fitimi i PTK-së edhe përkundër rënieve, në vitin 2012, ka qenë 38 milionë euro, ndërsa, në vitin 2015-të, ka rënë në 6 milionë euro. Vetëm dividenta e PTK-së për qeverinë e Kosovës për vitin 2013-të, ka qenë 40 milionë euro.

Sipas raportit të Auditimit të siguruar nga KosovaPress, e cila është miratuar nga Bordi, rëniet e Telekomit të Kosovës kanë vazhduar më një ritëm edhe me të madha pas ardhjes së Agron Mustafës, ndërkohë, shpenzimet operative janë rritur për disa miliona.

Kontribuues më i madh në totalin e të hyrave kanë vazhduar të jenë shërbimet mobile me 71.9 milionë euro, me minus 18.8 për qind nga plani apo më pak për 16.3 për qind nga totali i të hyrave në vitin 2014, nga këto shërbime. Po ashtu, më pak të hyra sipas raportit, PTK ka realizuar edhe për shërbimet telefonisë fikse që kishte realizuar 11.2 për qind më pak se sa në vitin 2014, që shprehur në milion 1.5 milion euro më pak.

Në faqen 20 të këtij dokumenti, teksa kompania është në rënie të të hyrave, gjatë periudhës janar-dhjetor 2015, ajo ka rritur shpenzimet më shumë se 100 për qind, si në udhëtime zyrtare, ashtu edhe në shërbime konsulente.

Shpenzimet e udhëtimit dhe trajnimeve sipas raportit në vitin 2015, Telekomi ka realizuar 850 mijë euro, derisa në vitin 2014 kanë shpenzuar 389 mijë euro. Po ashtu, raporti nxjerr në pah që ka rritje të shpenzimeve të shërbimeve konsulente. Në vitin 2015, ka shpenzuar 265 mijë euro, ndërsa, në vitin 2014 për të njëjtat shërbime kishte shpenzuar 33 mijë euro. Në përgjithësi, kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Agron Mustafa i ka rritur shpenzimet e kësaj kompani për 4 milionë euro.

Qeveria ka dështuar dy herë radhazi ta privatizojë këtë kompani. Oferta e fundit për këtë aset ka qenë 277 milionë euro por që kishte dështuar si proces.

Sipas kryetarit të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, Qeveria do ta ketë vështirë të arrijë ndonjë çmim për PTK-në në këtë gjendje me një ofertë të lartë.

“PTK në kohën e fundit po punon pa fitime të mëdha dhe ne nuk e marrim dividentën e pritur nga PTK që do të ishte pjesë e buxhetit. Konsiderojmë që duhet tash Qeveria të merr hapa konkret për me menaxhu apo për me krijua afarizëm më të suksesshëm të këtij institucioni, menaxhimi është pjesë kryesore e asaj, këtu duhet me ndërhy ministria përkatëse apo Qeveria që PTK ta ruaj vlerën“, tha Osmani.

Ndërsa, Haki Shatri, ish ministër i Financave, tha se keqmenaxhimi i kompanisë ka bërë që sot ky aset të shitet nën zero.

“Mendoj që pjesa më e madhe e fajit dhe përgjegjësisë i bie menaxhmentit, sepse ne po e shohim si janë caktuar njerëzit nëpër ato poste. Ishte dashur me qenë mirë të caktohen njerëz të përgjegjshëm, njerëz me kualifikime, me njohuri përkatëse për institucionin që e menaxhojnë, kjo nuk po ndodh edhe nuk ka ndodh, prandaj vlera e këtij aseti kombëtar ka rënë pothuajse në zero. Tash ka ardhur në një situatë që ndoshta ishte dashur me mëndu me ja fal dikujt a ta merr. S’janë në gjendje me pagua as dividentën. Ishalla TVSH-në, që na marrin neve si konsumator”, tha Shatri.

Ai ka shtuar se në këtë rast Qeveria ishte dashur të mbajë përgjegjësi për këtë mënyrë të keqqeverisjes ose të keqmenaxhimit me pasurinë kombëtare, pasi kanë obligim kushtetues.

Emërimi i Agron Mustafës në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës ishte kritikuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri këtë kundërshtim e kishte shprehur në profilin e vet të Facebookut .

“Kam shumë reagime të arsyeshme lidhur me zgjedhjen e z. Agron Mustafa drejtor menaxhues të PTK-së. Reciklimet e njerëzve të njëjtë nga Aeroporti në PTK janë praktika të dëmshme për reformat që po i synojmë. Ky veprim bie në pyetje kredibilitetin e Bordit të PTK-së dhe objektivave të tij. Do të kërkoj sqarime nga Bordi i PTK-së lidhur me kriteret e zbatuara për zgjedhje të tilla dhe për eliminim të kandidatëve tjerë”, pati shkruar Mustafa.

Por më vonë, ai i kishte tërhequr këto deklarata gjatë një vizite të bërë në Telekomin e Kosovës.

Duke folur për kritikat e më hershme, ai kishte thënë se pakënaqësi gjithmonë ka, dhe është pjesë e demokracisë, por sipas tij, është me rëndësi që të ketë bashkëpunim dhe se nuk kanë qenë personale.

“Po të kisha vërejtje do ta shfaqja”, kishte thënë kryeministri, gjatë vizitës me ministrin e Financave, Abdullah Hoti dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Sipas një marrëveshje paraprake në mes të koalicionit qeveritar, kompanitë publike janë ndarë në mes të PDK-së dhe LDK-së, dhe të tjerëve.

Telekomi i Kosovës dhe Posta e Kosovës po menaxhohen nga persona që me shumicë, në bordet e këtyre kompanive janë nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kryetari i Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, para se e vijë në PTK ka mbajtur pozitën e nënkryetarit të PDK-së në Pejë dhe ka qenë këshilltar komunal i PDK-së në Pejë.

Gjonbalaj vazhdon të mbajë pozitën e kryetarit të Bordit që nga viti 2008, edhe përkundër humbjeve të vazhdueshme me dhjetëra miliona, që është duke i pasë kompania.

Ai gjithashtu është duke u përballur me drejtësinë për nënshkrim të kontratave të dëmshme për këtë kompani publike.

Bordi i PTK-së në përbërje me shumicë nga PDK-ja ( Rexhë Gjonbalaj, ish-nënkryetar i PDK-së në Pejë, Gani Sylaj ish-kryetar i komunës së Drenasit nga PDK-ja, Bislim Zogaj, tani deputet i Kuvendit të Kosovë nga PDK-ja) ka zgjedhur në fillim të vitit 2015-të për kryeshef ekzekutiv, Agron Mustafën, ish drejtor i Aeroportit.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...