Kosovës e Shqipërisë i duhet një përmbysje e kapjes së shtetit

13 Gusht 2016 - 09:57      

Korrupsioni në Kosovë e në Shqipëri, është çështje e shumëdebatuar dhe është fenomen që ka kapur të gjitha institucionet shtetërore. Kështu u konstatua në debatin e së premtes, të fundit të serisë së paneleve të organizuara nga Grupi KOHA, në bashkëpunim me “DokuFestin” dhe me KFOS-in.

Në debat folën publicisti kosovar, Veton Surroi, dhe shkrimtari disident nga Shqipëria, Fatos Lubonja.

“From before to after” ishte tema për të cilën bashkëbiseduesit, nën moderimin e kryeredaktorit të “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, analizuan në thellësi pikënisjen e korrupsionit si formë e përhapur në masë të madhe në shoqëritë shqiptare dhe kosovare, por edhe në ato të rajonit.

Lubonja tha se nuk është e lehtë që të gjesh arsyen pse kemi kaq nivel të lartë të korrupsionit, dhe po të nisësh të shkruash një libër, do duhej të ndahej në katër kapituj; hyrje për korrupsionin, shkaqet, pasojat dhe në kapitullin e katërt se si mund të luftohet.

Surroi tha se duhet të ketë një lloj përmbysjeje të kësaj gjendjeje sepse shteti nuk mund të vazhdojë i kapur sepse nuk mund të jetë produktiv.
“Çfarë do të jetë natyra e përmbysjes, është çështje tjetër. Nuk duhet debatuar se a duhet përmbysur ky rend, sepse duhet përmbysur. Nuk i përmbush nevojat e qytetarëve të Kosovës. Shndërrohet në një shtet ku Ademi e Bahria vendosin se ku duhet me ‘kunkuru’ e ku s’duhet me ‘kunkuru’. Këta njerëz pra e administrojnë tërë këtë hapësirë publike e cila duhet të çlirohet nga uzurpatorët. Mënyra se si duhet të çlirohet është çështje e debatit. Nuk ka një përgjigje për të. Një janë helikopterët (të cilët po dëgjoheshin gjatë kohës së debatit) të cilët e kanë rolin e vetë. Kosova është i vetmi shtet që ka krijuar një Gjykatë Speciale gjoja të lidhur me sistemin e vet juridik, për t’i ndëshkuar udhëheqësit e vetë, gjegjësisht kapësit e shtetit. Nuk e them unë që shteti është i kapur. Kuvendi i Kosovës kur e ka votuar me 2/3 të votave themelimin e Gjykatës Speciale, ka pranuar se shteti është i kapur sepse baza për themelimin e kësaj gjykate është raporti i prokurorit Wiliamson, i cili ka konkluduar se hetimet e zotit Marty ku thuhet se shteti është i kapur, janë në masë të madhe të vërtetueshme, të gjykueshme dhe të dënueshme në gjyq. Pra, vetë Kuvendi i Kosovës ka pranuar se shteti është i kapur. Por, nuk ka gjykatë që mund ta ndryshojë përnjëherë këtë kulturë të kapjes së shtetit. Mund të konkludojë se 21 individë mund të procedohen në gjykim”, deklaroi Surroi.

Lubonja tha se edhe Shqipëria, pas 25 vjetësh, është duke e formuar një Gjykatë Speciale që, sipas tij, është një shenjë e dështimit të gjithë kësaj klase politike. “Është komplet situatë e njëjtë tek ne”, theksoi ai.
Lubonja e ka ndërtuar metaforikisht ndërtesën e pushtetit në Shqipëri, duke e ndarë në një ndërtesë me tre kate plus bodrumi.
“Në katin e parë e kam vendosur pushtetin oligarkik-ekonomik. Në bodrum kam futur krimin, paratë e krimit. Në katin e dytë mediat, shpeshherë të lidhura, dhe në katin e tretë politikën. Politika në Shqipëri është vërtetë e ndarë në dy pjesë, por strukturat e përbashkëta kanë një ashensor që lëviz nga bodrumi deri në katin e tretë dhe kjo është ndërtesa e pushtetit. Ndërrimet e partive politike nuk ndërrojnë asgjë në këtë ndërtesë. Vetë thelbi i një shteti demokratik është që të mos jenë të gjitha në një objekt, por t’i kesh të ndara këto. Por, të gjitha janë në të njëjtat duar të një kaste e cila duhet rrëzuar”, tha ai, duke theksuar se as ai nuk e di se cila do të jetë mënyra e rrëzimit. (Më shumë detaje nga ky bashkëbisedim mund të lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...