Surroi: Prej momentit kur nis hipja në pushtet e PDK-së ndalen vrasjet etnike, ndër-etnike e politike

12 Gusht 2016 - 23:03      

Korrupsioni në Kosovë e në Shqipëri, është çështje e shumë-debatuar dhe është fenomen që ka kapur të gjitha institucionet shtetërore. Kështu u konstatua sot në debatin e fundit të serisë së Paneleve të organizuara nga Grupi KOHA, në bashkëpunim me DokuFest dhe me KFOS.

Të ftuar ishin Veton Surroi nga Kosova e Fatos Lubonja nga Shqipëria, e “Nga para në pas” ishte tema për të cilën bashkëbiseduesit, nën moderimin e kryeredaktorit të Kohës Ditore, Agron Bajrami, analizuan në thellësi pikënisjen e korrupsionit si formë e përhapur në masë të madhe në shoqëritë tona, këndej e andej kufirit, por edhe në shtete tjera të rajonit.

Lubonja tha se nuk është e lehtë që të gjesh arsyen pse kemi kaq nivel të lartë të korrupsionit, dhe po të nisësh të shkruash një libër, do duhej të ndahej në katër kapituj; hyrje për korrupsionin, shkaqet, pasojat dhe në kapitullin e katërt se si mund të luftohet.

Lubonja, papërgjegjshmërinë e periudhës post-komuniste e bazon edhe në arkitekturën e qyteteve shqiptare, andej e këndej kufirit.

Ndërkaq, shkrimtari e publicisti Veton Surroi argumentoi pse sipas tij në Kosovë nuk ekziston korrupsioni.
“Në Kosovë nuk ekziston korrupsioni. Krejt çka aplikohet në analizat e korrupsionit, është e pa-aplikueshme në Kosovë. Ja pse nuk ekziston korrupsioni në Kosovë. Një amerikan në këto panele diskutimi më herët tha se të gjitha vendet dhe të gjitha shtetet kanë korrupsion, pra edhe Amerika dhe ky është një fenomen global, e relativizon vetë çështjen, do të thotë nuk mund të flasim për korrupsion nëse nuk e kemi një kod të kuptimit se çka është korrupsion. Nëse një zyrtar i USAID-it vjen këtu dhe thotë se kemi korrupsion edhe në Amerikë dhe mos u mërzitni, atëherë nuk kemi problem, dhe për rrjedhojë nuk do të kërkojmë as zgjidhje sepse të gjithë qenkemi të njëjtë, të gjitha shoqëritë qenkan të njëjta dhe dikur me një determinizëm historik do të mbërrijmë dhe do të bëhemi si Amerika. Pra, edhe të korruptuar si Amerika”, u shpreh publicisti Surroi.
Surroi e quan non-sense të akuzohet Amerika se ka krijuar mafinë, siç është non-sense të akuzohet Amerika se ka krijuar monstrumin i cili e ka kapur shtetin në Kosovë.

“Monstrumi i kapjes së shtetit në Kosovë është krijuar nën mbikëqyrjen ndërkombëtare dhe me premtimin e njëjtë të ofertës së stabilitetit politik. Merrini vetëm vrasjet politike, qoftë ato etnike apo ndër-shqiptare, dhe do të shihni se prej momentit kur fillon hipja në pushtet e Partisë Demokratike të Kosovës, ndalen vrasjet etnike, ndër-etnike, e në masë të madhe edhe ato politike. Duhet të ketë njëfarë korrelacioni ndërmjet njërës çështje dhe çështjes tjetër”, u shpreh publicisti Surroi. (Detajet tjera të këtij debati mund të lexoni në numrin e nesërm të Kohës Ditore)

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...