Bulliqi e Isufi: A ka dikush që përgjigjet me argumente, apo veç për inate

12 Gusht 2016 - 18:11      

Gjeografët Florim Isufi e Shpejtim Bulliqi kanë reaguar ndaj një deklarate të Komisionit Shtetëror për demarkacion të lëshuar për medie gjatë ditës.

Sipas tyre, loja me harta, sidomos me ato që tregojnë se Bjelluha, Çakorri dhe Kulla e Zhlebit gjenden jashtë kufirit të Kosovës është lojë e rrezikshme, jo e ndershme dhe profesionalisht e dëmshme për Kosovën.

“Nëse dikush i dëshiron të mirën Kosovës, duhet të bëjë analiza më të thella hartografike e jo vetëm të tilla që i konvenojnë pa u lodhur fare se çfarë lloj dëmi i bënë atdheut. Ekzistojnë mijëra harta shumë më kredibile që vërtetojnë se hapësirat e lartcekura janë në kufirin Kosovë-Mali i Zi dhe se si të tilla janë legjitime dhe të përpiluara nga institucionet e formuara nga Kuvendi i Kosovës”, kanë shkruar në reagimin e tyre, Bulliqi e Isufi.

Ata thonë se është për t’u habitur se si merren për bazë hartat e planeve hapësinore të pasluftës së vitit 1999, e nuk merren për bazë hartat e planeve hapësinore të para vitit 1999.
“Të gjithë e dimë se hartat e planeve hapësinore të para vitit 1999 janë shumë më të kontrolluara në aspektin profesional dhe politik, sepse rrjedhin nga një sistem i cili kishte kontroll të rreptë mbi secilin aktivitet profesional dhe politik dhe se gabimet eventuale dënoheshim me burg, madje deri në 20 vjet”, kanë thënë ata, teksa kanë shtruar pyetjen se pse këto harta nuk merren parasysh kur dihet fakti se flasin në të mirë të territorit të Kosovës, por tentohet t’i hidhet hi syve opinionit kosovar se hartat e pas luftës të vitit 1999 janë më të sakta dhe më të mira për Kosovën, edhe kur vërtetohet se sipas tyre Kosova humb territor.

Kanë pyetur edhe pse nuk merret parasysh harta zyrtare e Qeverisë së Malit të Zi e dërguar në Adriatik Atllas, hartë kjo e dërguar zyrtarisht nga organi përgjegjës i Malit të Zi tek një projekt i bashkëfinancuar nga BE, dhe duke ditur vlerën e projektit nuk është lejuar gabimi eventual, e që gjithashtu flet se territoret kontestuese i takojnë Kosovës.
“Pse ne nuk i marrim parasysh të gjitha faktet që flasin në dobi të Kosovës por vetëm ato që dëmtojnë Kosovën, pse, pse, pse? A ka dikush ndonjë sqarim politik dhe profesional, apo veç për inat? Nëse është për inat, pse nuk i përmbahemi një fjale të urtë popullore që thotë ‘mbaj inat dhe ha, e jo mbaj inat e mos ha’”.

“Dhe nëse me të vërtetë është ashtu, le t’i përmbahemi asaj fjale të urtë, dhe pse jo të mbajmë edhe inat mes njëri tjetrit, por gjithmonë të fitojmë atë që është më e mirë për Kosovën”, ka shkruar kjo dyshe në fund.

Ndërkaq, më poshtë mund ta lexoni kumtesën e Komisionit shtetëror, të lëshuar për media gjatë ditë:

Komisioni shtetëror me profesionalizëm të mbështetur në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjet ndërkombëtare ka ofruar dhe ofron fakte të qëndrueshme, të pamohueshme dhe të vërtetuara në nivelin kombëtar e ndërkombëtar.

Vija administrative ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, edhe për periudhën 1974 - 2015 ka ngelur e pandryshuar. Kjo vijë administrative ndërmjet komunave kufitare Junik, Deçan, Pejë dhe Istog të Kosovës dhe komunave Plavë, Berane e Rozhajë të Malit të Zi ishin dhe janë të pranuara dhe të administruara nga kryetarët e Komunave pa asnjë kërkesë shtesë.

Komuna e Pejës ka përgatitur plane zhvillimore lokale të sakta me financim nga buxheti i Kosovës, dhe me mbështetje nga Bashkësia Evropiane, nga SIDA Suedeze, dhe USAID Amerikan. Secili Plan Zhvillimor i nënshtrohet Shqyrtimit Publik prej 60 ditësh, i cili në fund duhet të aprovohet apo refuzohet. Në vijim është trajtuar dhe analizuar Plani zhvillimor komunal_Pejë 20062025 (shiko në web faqe të Komunës së Pejës: plani zhvillimor komunal Pejë 20062025.

Në këtë plan zhvillimor por edhe në planet tjera, është paraqitur vija administrative e KSA të Kosovës e vitit 1974, gjithashtu është vija administrative e KSA të Kosovës e datës 31 dhjetor 1988. Kjo vijë administrative është identike me kufirin e shënuar nga komisioni shtetëror.

Shtrohet pyetja: kush e pengoi atëherë këtë kryetar, apo pse ky kryetar nuk kishte kërkesa për territor tjetër dhe e la jashtë planit zhvillimor Bjelluhen, Çakorin, dhe Kullën. Për këtë plan zhvillimor komunal 20062025 (PZHK) Kryetari i atëhershëm që shihet edhe në fotografi tha (citim):

“Projektet – planet e tilla janë çelësi i zhvillimit të përgjithshëm; kulturë institucionale shtetërore; vlerë kombëtare – civilizim njerëzor.” Kryetari i Komunës së Pejës ka marrë vendim (01.Numër:35085/2006) të organizojë Shqyrtimin Publik për këtë projekt, i cili është mbajtur në periudhën kohore prej 60 ditë, prej 18 prill 19 qershor 2006. Në kohën e Shqyrtimit Publik, në këtë rast plani zhvillimor është aprovuar dhe atëherë nuk kishte kërkesë nga qytetarët, e as nga ish Kryetari i cili tani kundërshton dhe Bjelluha, Çakori dhe Kulla edhe atëherë ishin jashtë territorit të Kosovës.

Vallë, kur u bë PZHK, a nuk ekzistonte Bjelluha, Çakori dhe Kulla, apo ndoshta e kishin lënë t’i inkorporojnë ato në Komunën e Pejës pas vitit 2025 kur do bëhet plani i ri zhvillimor.

Në kopertinën e planit zhvillimor shihet harta e Komunës se Pejës që është identik me vijën administrative të vitit 197419882015.

Në faqe 7 të po këtij projekti janë fotot e ekspertëve dhe hartat në tavolinë të Komunës së Pejës që është identik me vijën administrative të vitit 1974 1988 2015 dhe është pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën.

Në faqe 10 të këtij Plani Zhvillimor Komunal është harta e Kosovës me Komuna, ndërsa Komuna e Pejës shihet e paraqitur me ngjyrë të zezë. Pra, kjo hartë është e saktë pa ndryshime dhe me vijën kufitare administrative që gjithnjë e kishte Komuna e Pejës, dmth pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën. Harta në vijim është nga (PZHK faqe 10).

Ne faqe 11 te PZHK me titull: Profili i Komunës së Pejës shkruan një historik i shkurtër ndërsa në nënkapitull të po kësaj faqeje është: Peja, të dhënat themelore në të cilën shkruan (citim)

“Komuna e Pejës përfshin një hapësirë prej 603 km² ndërsa vetëm qyteti i Pejës ka një sipërfaqe prej rreth 20 km²”. Këtë sipërfaqe Komuna e Pejës e ka nga edhe tani dhe në gjithë periudhën 1974 - 2015. Shih hartën e marrë nga plani zhvillimor e cila është me vijën e kufirit të Komunës se Pejës gjithnjë në të gjitha periudhat i njëjtë.

Në këtë plan Zhvillimor Komunal janë paraqitur 33 harta të Komunës se Pejës me vijën administrative që është identike me vijën administrative të vitit 19741988 dhe me kufirin e Republikës 20082015. Ky territor gjithnjë është pa Bjelluhen, Çakorin dhe Kullën.
Në këtë plan zhvillimor kanë punuar shumë ekspertë të Komunës së Pejës.

Kjo tregon që Komisioni shtetëror ka punuar me përpikëri për vijën kufitare ndërmjet Republikës se Kosovës dhe Malit të Zi dhe nuk ka lënë asnjë metër katrorë jashtë territorit të Komunës se Pejës, përkatësisht nuk ka lënë asnjë metër katror jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...