11 Gusht 2016 - 13:48
Në një nga vendet më të bukura të Malit të Zi, përkatësisht në Gjirin e Kotorit, është qyteza e Risanit.
Krahas bukurisë, kjo qytezë që konsiderohet si vendbanimi më i vjetër në këtë gji, është e pasur me trashëgimi kulturore, që nga antikiteti.
Dëshmi për këtë janë mozaikët e zbuluar në pjesën e poshtme të qytetit. Aty janë vendosur pano informuese për fortifikimet, artefaktet si dhe hyjnitë e këtushme.
Risani, dikur ishte kryeqytet i mbretërisë Ilire dhe njihej me emrin Rhizon. Gjatë luftërave iliro-romake, Mbretëresha Teutë kishte gjetur strehim këtu dhe më pas prej aty kishte sunduar, duke e bërë këtu edhe kryeqytetin e mbretërisë së saj.
Mirëpo, tani në Risan nuk ndodhet as edhe një shenjë që tregon se në kodrën lart, të njohur nga vendasit si “gradina”, gjendet Kalaja e Mbretëreshës Teutë.
Megjithatë, me insistim të madh, gjetëm një shoqërues, i cili ishte i kësaj pjese dhe u zotua se do të na dërgojë mu tek rrënojat e Kalasë së Mbretëreshës Teutë.
Përgjatë ngjitjes në shkëmbinj, Filipi, udhërrëfyesi ynë, na tërhiqte vëmendjen për kujdes të shtuar ndaj gjarpërinjve, ngase tash ishte sezoni i tyre. Kjo bënte që adrenalina të na rritej, e sa më lart që ngjiteshim edhe entuziazmi shtohej, ngase për herë të parë do të gjendeshim te Kalaja e Mbretëreshës Ilire.
Me të arritur në majë te Kalaja, u shfaq pamja magjepsëse. Mbretëresha Teutë kishte përzgjedhur një pikë strategjike për të ndërtuar kalanë, nga ku thuajse si në pëllëmbë të dorës kishe një pjesë të mirë të gjirit të Kotorit.
Ky lokalitet, që për ne kishte një rëndësi të veçantë, për institucionet e këtushme duket se nuk kishte edhe aq shumë rëndësi, ngase nuk kishte as edhe një shenjë të vetme që do të drejtonte vizitorët.
Megjithatë, një grup arkeologësh nga Polonia, vitin e kaluar kishin filluar gërmimet për rreth tri javë, gërmim ky i cili do të pasonte edhe këtë vit.
Punimet këtu janë udhëhequr nga profesori i Arkeologjisë në Universitetin e Varshavës, Piotr Dyczek, i cili fillimisht kishte nisur gërmimet në Shkodër, për të vazhduar më pas edhe në Risan.
Ai tregoi për rëndësinë e Risanit apo Rhizonit, siç njihej, si dhe për zbulimet që i kishin bërë ata përgjatë gërmimeve.
Para më shumë se 130 vjetëve, në Risan, gërmime kishte bërë edhe arkeologu britanik, Arthur Evans, i cili është i njohur për zbulimin e lokalitetit të Knusus në Kretë.
Nga gërmimet e bëra në Risan, Evans kishte zbuluar monedhat, për të cilat kishte vlerësuar se ato datojnë nga mesi i shekullit të dytë para erës sonë, mirëpo, me zbulimet e bëra këtë vit nga arkeologët polakë, duket se do t’i ndryshojnë këto të dhëna.
Arkeologët nga Polonia, të cilët tashmë janë në vitin e dytë të gërmimeve në Risan, po synojnë që të vazhdojnë punimet edhe në vitet e ardhshme paralelisht me Shkodrën, në mënyrë që të zbulohen sa më shumë të dhëna për këto kryeqendra të Mbretërisë Ilire.
Për këtë vit edhe ne u larguam nga Risani i sotëm e Rhizoni i Mbretëreshës Teutë, me shpresën se në vizitën e ardhshme kjo kala të jetë e shenjëzuar dhe të bëhet pjesë e guidës së trashëgimisë kulturore të Malit të Zi, në mënyrë që të vizitohet nga turistët e gjirit të Kotorit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...