LDK “rebelët” e saj të demarkacionit i quan zëdhënës të AAK-së

11 Gusht 2016 - 12:37      

Në një kumtesë për medie, Kryesia e LDK-së dhe kryetarët e degëve të LDK-së , pa përmendur emra, akuzojnë deputetë e anëtarë të saj, siç thotë kumtesa, se po trumbetojnë kundër votimit (të demarkacionit) në Kuvend, transmeton Koha.net.

Ata, deputetë e anëtarë, sipas kësaj kumtese, janë zëdhënës të AAK –së.  

Në këtë kumtesë thuhet: 

Kryesia e LDK-së dhe kryetarët e degëve të LDK-së dje në një takim pune ishin krejtësisht unik në mbështetjen e ratifikimit të vijës kufitare me Malin e Zi.

Ky unitet është rezultat i bindjes se Kosova në këtë proces e forcon shtetësinë e saj, shënon kufirin ndërkombëtar me Malin e Zi, duke mos ndryshuar për asnjë pëllëmbë territorin të cilin e ka menaxhuar edhe më parë dhe hap rrugë për liberalizim të vizave, si një nevojë imediate për qytetarët tanë.

Konventa e LDK-së, e mbajtur në maj të këtij viti, kishte mbështetur plotësisht orientimet strategjike të prezantuara nga kryetari i LDK-së, ku përfshihej edhe ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. 

Përkrahje shënjimit të vijës kufitare i ka dhënë edhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Prandaj, zërat që po dëgjohen në opinionin publik, që prezantohen si deputetë apo anëtarë të LDK-së, të cilët i gëzohen dhe trumbetojnë kundër votimit në Kuvend, duhet të tregojnë se cilit koalicion i përkasin.

Ata nuk mund të flasin për koalicionin qeverisës, sepse qëndrimet për LDK-në i prezantojnë organet udhëheqëse dhe statutare të saj, kurse është çështje e vullnetit të tyre ndoshta edhe e ndonjë interesi që të bëhen zëdhënës të AAK-së në njërën anë dhe mbështetës të atyre që po përdorin gazin lotsjellës dhe dhunën kundër institucioneve, në anën tjetër.

Lidhja Demokratike e Kosovës, në asnjë fazë nuk ka qenë në anën e atyre që ushtrojnë dhunë, dhe as në anën e atyre që kontestojnë hapat për përmbylljen e shtetësisë së Kosovës.

Individët, të cilët çdo ditë e helmojnë opinionin me të pavërteta, që mundohen me çdo kusht ta mbështesin një kauzë të rrejshme dhe krejtësisht me motive politike të opozitës nuk prezantojnë qëndrimet e LDK-së dhe nuk janë në anën e LDK-së.

Të tillët, që u bashkohen atyre që shpallin tradhtar çdo ditë, që kërcënojnë dhe shantazhojnë shtetin, mund të kenë agjenda individuale por nuk prezantojnë politikat dhe qëndrimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë dhe mbetet parti shtetformuese, institucionale, parti e cila është e gatshme të ballafaqohet me probleme jetike të vendit të cilat nuk janë gjithnjë të lehta dhe populliste, por janë të dobishme për ta forcuar shtetin, për të forcuar partneritetin ndërkombëtar dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet tjera mike të BE-së dhe më gjerë.

 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...