Foto: Koha

Mustafa: Serbia s’mund t’i bllokojë privatizimet në Kosovë

10 Gusht 2016 - 14:47      

Kryeministri Isa Mustafa i ka dhënë përgjigje indirekte mandatarit për formimin e Qeverisë së re të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili një ditë më parë tha se Serbia do të vazhdojë të luftojë për Trepçën, Gazivodën dhe Brezovicën.

Mustafa tha se ato potenciale i takojnë Kosovës, përkundër krekosjes së Serbisë dhe tendencave për bllokimin e privatizimit të aseteve të Kosovës.

“Askush nuk do të mund të pengojë asnjë projekt që të zhvillohet në Kosovë, në pasuritë e Kosovës, në tokat e Kosovës dhe në asetet e Republikës së Kosovës, por ne vetëm duhet të punojmë në tërheqjen e investitorëve të jashtëm. Pjesë e kësaj pune është që ne të bashkërenditemi me Kuvendin në mënyrë që të procedohet edhe ligji për investime strategjike”, tha Mustafa.

Këto komente, kreu i Qeverisë i bëri pas shfuqizimit nga ekzekutivit të Komisionit Ndërministror për udhëheqjen e projektit për zhvillimin e Brezovicës, pas dështimit të këtij projekti. Mustafa tha se për çdo projekt tjetër, do të themelohet komision i ri ndërministror, raporton televizioni publik.

Ndërkohë, kryeministri foli edhe për detyrimin që Kosova duhet ta paguaj prej rreth 5 milionë eurosh për rastin e pasaportave, dhe për procesin që është në Gjykatën e Arbitrazhit për Axosin lidhur me kompaninë Vala.

Ai kërkoi një koordinim dhe forcim të departamentit në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që merret me këto çështje.

“Të bëjmë përpjekje maksimale që këtë ta forcojmë, nëse ka nevojë edhe të sigurojmë buxhet të veçantë që ai sektor të forcohet edhe me njerëz, sepse më mirë është që të sigurojmë mjete për organet tona, njerëzit tanë, në mënyrë që ata të aftësohen, të kenë njohuri ndërkombëtare për t’i mbrojtur këto lëndë, sesa gjithmonë të paguajmë arbitrazhe dhe ekspertë të jashtëm”, tha Mustafa.

Qeveria aprovoi edhe një sërë projektligjesh dhe vendimesh, mes të cilëve edhe vendimin për shpronësim për interes publik të ndërtesës së ish-Bankës së Lubjanës, e cila do të përdoret për nevoja të Qeverisë. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...