
8 Gusht 2016 - 11:57
Sipas Kurtit, me marrëveshjen e firmosur nga Hashim Thaçi, Kosova ka humbur 8.200 hektarë sipërfaqe. Në intervistën e tij për “Shekulli”, politikani 41-vjeçar flet edhe për marrëdhëniet me faktorin ndërkombëtar, ndërsa analizon edhe zhvillimet në Shqipëri për sa i përket reformës në drejtësi.
Duke u ndalur tek çështja e demarkacionit, Kurti thotë se debati është dashur të zhvillohet para nënshkrimit të marrëveshjes, siç parash edhe Rezoluta e Kuvendit të Kosovës nga 25 qershori i vitit 2015.
“Debat nuk pati fare dhe pas dy muajve, saktësisht me 26 gusht 2015, në Vjenë të Austrisë, asokohe ministrat e Jashtëm e të Brendshëm, Hashim Thaçi e Skënder Hyseni, nënshkruan demarkacionin me homologët e tyre nga Mali i Zi, Igor Lukshiç e Rashko Konjeviç. Pra, ky debat gjithsesi është tepër i vonuar, megjithatë më mirë vonë se kurrë. Debati ku u përfshinë ekspertë dhe përfaqësues të grupeve të interesit, u mbajt pra në Kuvendin e Kosovës me një vit vonesë. Këta pushtetarë do të duhej të konsultoheshin me ekspertët dhe me grupet e interesit para se ta lidhnin këtë marrëveshje. Por fatkeqësisht janë kujtuar për organizimin e këtij debati vetëm një vit më vonë, dhe vetëm për shkak të protestave të mëdha, brenda e jashtë parlamentit, të organizuara nga opozita e qytetarët”, theksoi Kurti.
Megjithatë, ai tha se debati e pati një vlerë të vetën pasi në të, sipas tij, u dëshmua gjerësisht dhe thellësisht se linja e demarkacionit e propozuar nga qeveria dhe nga komisioni zyrtar shtetëror për demarkacionin, është e gabuar dhe ia humb Kosovës së paku 8.200 hektarë, që është një hapësirë tokësore shumë, shumë e madhe, mbi 80 kilometra katrorë.
“Ekspertë të shquar gjeografë, hartografë, gjeodetë e historianë kanë dëshmuar me dokumente e me harta, historike apo bashkëkohore, prej burimeve të ndryshme, se kufiri i vërtetë është ai që pretendojmë ne, pra që qeveria e ka gabim. Për të argumentuar këtë gjë profesorët kanë paraqitur harta të ish-Jugosllavisë, të vetë Malit të Zi, harta të ekspertëve të ndryshëm të vendeve evropiane, harta të përdorura zyrtarisht nga SHBA-të, harta të përdorura nga institucionet në Kosovë para dhe pas çlirimit, etj. Po ashtu, grupet e interesit kanë paraqitur dokumentacione të llojllojshme që provojnë se ato 8.200 hektarë kanë qenë vazhdimisht të Kosovës. Pra, është dëshmuar tashmë pa asnjë dyshim, për të gjithë deputetët dhe për të gjithë publikun që e ka ndjekur çështjen në televizion se kufiri i propozuar nga qeveria është i gabuar. Ky debat ka shërbyer që të konfirmohet e vërteta, jo të kërkohet ajo”, shtoi ai.
Para së gjithash e mbi të gjitha, Kurti thotë se demarkacioni i kufirit nuk bëhet me libra kadastralë, siç ka bërë Komisioni i Kosovës dhe e ka nënshkruar Thaçi.
“Kadastri është elementi i fundit, sepse, siç ka theksuar prof.Zejnullah Gruda, demarkacioni është çështje e ndarjes së sovraniteteve midis shteteve e jo e kufijve të arave midis kushërinjve. Kosova ka negociuar keq dhe mbi bazë të gabueshme. Ajo është vënë në pozitën e atij që merr barrën e provës: tokat janë të Malit të Zi, përveç nëse nuk dëshmohet e kundërta nga Kosova”, u shpreh Kurti.
Si përmbledhje, Kurti tha se “ky lloj demarkimi është tradhti dhe krim”.
“Një deputet i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka thënë në një intervistë këto ditë se ata që dëshirojnë të luajnë me kufirin e Kosovës, luajnë me paqen. Ne nuk kemi për t’i lënë këta pushtetarë të papërgjegjshëm të na i kërcënojnë qoftë kufirin e qoftë paqen. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që ta ndalim ratifikimin e kësaj marrëveshje. Demarkimi i kufirit duhet të rinegociohet, në mënyrë të drejtë e transparente, pa i marrë tokë asnjë shteti e pa i dhuruar territor asnjë shteti tjetër, duke i marrë parasysh të gjitha hartat, dokumentet dhe argumentet e sjella nga ekspertët që përmenda”, kërcënon Kurti.
Kurti, në këtë intervistë thotë se veprim më i dhunshëm sesa protestat apo veprimet e mëhershme në Kuvend dhe jashtë tij nga opozita, është heqja e një cope të territorit padrejtësisht dhe pa vullnetin e popullit.
“Nëse një populli, cilitdo popull në botë, shkoni dhe provoni t’ia ndryshoni kufijtë pa vullnetin e tyre, keni për të parë se ata do të jenë gati të nisin edhe luftë. Pra, unë gjykoj se veprimin më të dhunshëm ndonjëherë ndaj Kosovës së pavarur, do ta kryente qeveria nëse e ndryshon kufirin e Kosovës pa vullnetin e popullit të saj, duke ia falur a shitur Malit të Zi mbi 8.200 hektarë. Përballë një dhune të tillë nga ana e pushtetarëve, për të mbrojtur vendin e tokën tonë, ne kemi legjitimitetin për çdo lloj veprimi. Nuk mund të sillesh krejt butë e paqësisht kur në qeveri i ke dhunuesit më të mëdhenj të Kosovës”, deklaroi deputeti i VV-së, Albin Kurti.
Ai thotë se Mustafa e Thaçi nuk duhen lënë që të rinegociojnë kufirin me Malin e Zi, por kjo duhet bërë përmes ekspertëve më të mirë të vendit, pasi, siç thotë Kurti, Mustafës e Thaçit “ua kanë zënë bishtin me derë”.
“Kosova i ka të gjitha kapacitetet të rinegociojë për kufirin me Malin e Zi, në mënyrë transparente e profesionale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Mjaft të përfshihen ekspertët më të mirë dhe të negociohet nga negociatorë të denjë, e jo nga pazarxhinjtë si Mustafa e Thaçi. Këta të dy e mbrojnë këtë marrëveshje, ashtu siç kanë mbrojtur e nënshkruar edhe shumë marrëveshje të tjera të dëmshme që e sulmojnë Kosovën, pasi “ua kanë zënë bishtin me derë”, domethënë janë të shantazhuar”, potencoi ai.
Deputeti Kurti nuk mendon se mosmiratimi i marrëveshjes me Malin e Zi mund të rrezikojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.
“Marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës më shumë dëmtohen prej qëndrimit në pushtet të këtyre dy pushtetarëve dhe të të tjerëve si ata. Sa i përket demarkacionit, edhe vetë Mali i Zi e pranon se do të mund të rinegociohej pa problem, e ne s’po kërkojmë gjë tjetër. Pra nuk ka asnjë dëm ndërkombëtar nga ndalimi i kësaj marrëveshjeje. Qysh më 15 dhjetor 2015 Qeveria e Malit të Zi pat shprehur gatishmërinë për rishqyrtimin e demarkacionit, por Qeveria e Kosovës nuk ishte e interesuar për këtë gjë në mënyrë që të mos merrej vesh konkretisht përmbajtja e tradhtisë dhe krimit të tyre”, thotë Kurti.
Ish-kreu i Vetëvendosjes thotë se SHBA-në e duan edhe qeveria e Kosovës e edhe vetë subjekti politik të cilit i takon ai.
“Mirëpo, dallimi midis nesh është që ne i duam SHBA-të e Franklin Delano Roosevelt, Martin Luther King, Jr., e të vëllezërve John e Bobby Kennedy, ndërkaq Qeveria e Kosovës i do SHBA-të e Al Kapones e të Senatorit Joseph McArthy. Pra, çështja është se cilën Amerikë e do”, u shpreh deputeti i VV-së.
17 Shkurt 2017 - 00:15
16 Shkurt 2017 - 23:49
16 Shkurt 2017 - 23:41
16 Shkurt 2017 - 23:18
16 Shkurt 2017 - 23:17
Ec me kohën...