Foto: Reuters

Ditë zie në Maqedoni për humbjen e mbi 20 jetëve nga vërshimet

8 Gusht 2016 - 08:32      

Qeveria e Maqedonisë ka shpallur ditën e hënë ditë zie në vend, në një mbledhje të saj të jashtëzakonshme, pas vërshimeve që goditën Maqedoninë të shtunën në mbrëmje.

Qeveria vendosi që në dy javët e ardhshme të mbajë gjendjen e jashtëzakonshme në Maqedoninë Perëndimore, që u godit më së rëndi nga vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm.

Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pas vërshimeve që goditën Shkupin dhe pjesën veriperëndimore të Maqedonisë, kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Vërshimet e shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm në mbrëmjen e të shtunës, shkaktuan edhe lëndimin e dhjetëra qytetarëve të tjerë dhe bëhet me dije se ka edhe disa të zhdukur.

Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë dy vjeç.

Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë, Mitko Cavkov, tha policia dhe institucionet tjera të vendit me ekipet e tyre gjenden në terren, ku vazhdojnë kërkimet, duke kontrolluar çdo metër për gjetjen e viktimave.

“Mbetet që institucionet shtetërore, bashkë me qytetarët e Republikës së Maqedonisë, të aktivizohen masovisht, sepse gjatë ditëve të ardhshme na presin shumë sfida për sanimin e pasojave nga vërshimet”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme.

Nga 21 persona, 13 veçse janë identifikuar nga organet kompetente, ndërsa të tjerë janë në proces të identifikimit.

Ndërkaq, Ambasada e Shteve të Bashkuara në Shkup, përmes rrjetit social Facebook, ka theksuar se ndjehet e pikëlluar nga humbja e jetëve.

“Ne jemi thellë të pikëlluar nga humbja e jetëve gjatë reshjeve të rrëmbyeshme të natës së mbrëmshme. Lutemi që të shpëtojnë personat e zhdukur, si dhe të shërohen të lënduarit. Përshëndesim qytetarët të cilët janë organizuar për të mbledhur ushqim dhe gjësende tjera të nevojshme për ata që janë prekur”, theksohet në postimin e ambasadës së SHBA-së, në rrjetin social FB. 

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...