Nishani thërret të shpejtohet puna për zbatimin e reformës në drejtësi

4 Gusht 2016 - 21:37      

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka ftuar ekspertë dhe përfaqësues të grupeve parlamentare të partive për të diskutuar mbi një kompetencë të tij në paketën kushtetuese të sapomiratuar, ndërkohë që ligjet e tjera vazhdojnë të shqyrtohen.

Presidenti Nishani tha se ndryshimet kushtetuese hyjnë në fuqi më 11 gusht dhe brenda 5 ditësh duhet të shpallë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, por ligjet e tjera të reformës në drejtësi ende nuk janë miratuar, as kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve.

Presidenti Nishani bëri thirrje për shpejtimin e punës për miratimin e ligjeve, dhe zbatimit të reformës në drejtësi.

“Miratimi me konsensus është garanci se zbatimi i reformës do jetë afatgjatë dhe do të mbahet larg nga kthimi i një beteje mes palëve politike. Mendoj se ky proces do të sjellë një konsolidim më të madh të trupës gjyqësore dhe prokurorëve, të atyre njerëzve që janë me integritet në sistemin gjyqësor. Do të shmangë e largojë të gjithë të korruptuarit dhe të paaftët”, tha Nishani.

Presidenti tërhoqi vëmendjen edhe për gjuhën e ashpër të komunikimit mes partive politike, e cila dëmton klimën e bashkëpunimit demokratik, përcjell VoA.

Ai tha se qytetarët kanë pritshmëri të lartë se reforma do të pastrojë drejtësinë nga gjykatësit e korruptuar dhe të shohin para trupit gjykues politikanë të korruptuar.

“Pritshmëria më e madhe e popullit shqiptar është të shohim sa më parë përpara drejtësisë, ligjit e togave të zeza, politikanët e korruptuar; të shohim sekuestrimin e pronave dhe pasurive të paligjshme të politikanëve, vendimmarrësve dhe menaxherëve të pasurive publike të korruptuar. Presidenti do të jetë një zë shumë i fortë publik për të inkurajuar gjyqtarët e prokurorët e ndershëm të bëjnë punën e tyre, për të denoncuar rastet e shmangies nga integriteti që kërkon Kushtetuta e ligji i gjyqtarëve e prokurorëve apo i kapjes politike prej tyre, i denoncimit të rasteve të korrupsionit dhe inkriminimit. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është objektivi kryesor i kësaj reforme”, tha Nishani.

Komisioni i posaçëm parlamentar për reformimin e sistemit të drejtësisë pritet të mblidhet sërish, ndërsa palët po shqyrtojnë projekt-ligjet e reja, së bashku me vërejtjet e njëra tjetrës.

Tema thelbësore e bisedimeve mbeten komisionet e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo procesi i njohur si vetingu.

Ende nuk ka të dhëna se deri në ç'fazë është shqyrtimi i këtyre materialeve para se administrata e parlamentit të organizojë një seancë të jashtëzakonshme për miratimin e tyre.

Paketa e ndryshimeve kushtetuese u miratua me vota të plota nga parlamenti mesnatën e 21-22 korrikut, por ligjet e tjera të reformimit të drejtësisë janë ende mbi tryezë.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...