BE-ja dhe UNICEF-i përfshijnë edhe Kosovën në partneritetin e tyre

4 Gusht 2016 - 11:59      

Gjenevë/Bruksel, 4 gusht – Bashkimi Evropian (BE) dhe UNICEF-i kanë zgjeruar një partneritet të rëndësishëm rajonal që ka për synim mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe përfshirjen më të madhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shoqëri.

Që nga viti 2011, UNICEF-i dhe BE-ja janë duke punuar së bashku me shtetet që aktualisht janë në proces të anëtarësimit në BE si Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia dhe Turqia. Ky partneritet tani po zgjerohet për ta përfshirë edhe Kosovën, Malin e Zi dhe ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë.

Që nga ky vit, edhe Forumi Evropian i Aftësisë së Kufizuar (FEAK) i është bashkangjitur këtij partneriteti.

Dhuna është një realitet i përditshëm për mijëra fëmijë në mbarë Evropën juglindore. Të dhënat** tregojnë se më shumë se 50 për qind e djemve dhe vajzave të moshës 2 – 14 vjeçare (dhe në disa shtete më shumë se 70%) i janë ekspozuar të paktën një forme të ndëshkimit të rëndë fizik ose psikologjik nga anëtarët e familjes. Për shumë fëmijë ende është jashtëzakonisht e vështirë të flasin me njerëz të huaj kur dhuna paraqitet brenda në familje, e aq më pak të kërkojnë mbrojtje dhe ndihmë.

Situata e fëmijëve me aftësi të kufizuara është akoma më e komplikuar: ata shpesh janë të ndarë nga familjet e tyre, janë të mbipërfaqësuar në institucionet rezidenciale, nuk dërgohen në shkolla dhe janë të përjashtuar nga çdo sferë e jetës së përditshme publike. Ata përballen me paragjykime, stigma dhe diskriminim të rëndë. Shumica janë “të padukshëm” – nuk përfaqësohen në të dhënat zyrtare. Ata kanë afërsisht katër herë më shumë gjasa që ta përjetojnë dhunë.

BE-ja dhe UNICEF-i po kontribuojnë me 5.89 milionë euro - prej të cilave 5 milionë vijnë nga BE-ja - për këtë partneritet rajonal gjatë tri viteve të ardhshme, dhe kanë premtuar që të vazhdojnë fuqishëm avokimin që secili fëmijë të mbrohet nga të gjitha format e dhunës dhe të jetë anëtarë i barabartë në shoqëri.

“Ne besojmë që ky partneritet mund të bëjë ndryshim të vërtetë në jetën e fëmijëve në rajon. Ne mbështetemi në ekspertizën dhe njohuritë e UNICEF-it dhe FEAK-së për të ndikuar në politikat që ndikojnë tek fëmijët të cilët janë viktima të dhunës dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të depërtohet deri tek shoqëria civile dhe organizatat themelore që punojnë në mbrojtjen e fëmijës dhe të promovohet gjithëpërfshirja e fëmijëve në shoqëri. Prandaj, një pjesë e madhe e fondeve do t'i përkushtohet mbështetjes së organizatave të vogla të shoqërisë civile për arritjen e një ndryshimi të vërtetë, për përmirësimet e qëndrueshme në jetën e përditshme të fëmijëve dhe perspektivën në të ardhmen," tha Johannes Hahn, Komisioner i BE-së për Politikën e Fqinjësisë Evropiane dhe Negociatat e Zgjerimit.

Partneriteti do të kontribuojë në përmirësimin e koordinimit për reagimet multi-sektoriale ndaj dhunës ndaj fëmijëve. Ekspertët kryesorë do të marrin të dhëna më të mira, mjete inovative, njohuri dhe mekanizma për parandalimin apo reagimin ndaj dhunës, abuzimit dhe neglizhimit dhe për ta zvogëluar distancën sociale në mes të fëmijëve me dhe pa aftësi të kufizuara.

"Secili rast i dhunës ndaj fëmijëve është i tepërt. Dhuna e vë jetën, shëndetin, sigurinë, arsimimin dhe të ardhmen e tyre në rrezik dhe mund t'u lërë pasoja për tërë jetën. Ne duhet ta ngremë zërin kundër dhunës dhe diskriminimit. Përdorimi i dhunës ndaj fëmijëve është i papranueshëm, veçanërisht ndaj fëmijëve të cilët janë më të cenuarit. Ne duhet të gjejmë zgjidhje efektive kombëtare dhe me bazë në komunitet për t’i mbrojtur të drejtat e të gjithë fëmijëve dhe për të ndihmuar në kërkimin e ndihmës për secilin fëmijë," tha Marie-Pierre Poirier, Drejtoreshë Rajonale dhe Koordinatore Speciale për Krizat e Refugjatëve dhe Migrantëve në Evropë.
Organizatat për Persona me Aftësi të Kufizuara përfshirë edhe vetë fëmijët me aftësi të kufizuara do të luajnë një rol më të zëshëm dhe më aktiv në monitorimin dhe ndikimin e politikave për të drejtat e barabarta dhe gjithëpërfshirjen sociale të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

"Është me rëndësi thelbësore që fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në të gjitha veprimet për trajtim të dhunës ndaj fëmijëve. Kjo iniciativë është gjithashtu shumë e rëndësishme për shkak se kërkon ngritjen e kapaciteteve dhe përfshirjen e organizatave të personave me aftësi të kufizuara dhe anëtarëve të tjerë të shoqërisë civile. FEAK ka kënaqësinë të jetë partner me UNICEF-in dhe BE-në për të ndihmuar në realizimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara në rajon, siç po synojmë të bëjmë në punën tonë në Evropë dhe në aspektin global," tha Yannis Vardakastanis, kryetar i Forumit Evropian të Aftësisë së Kufizuar.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...