Kurti: Po e vulosim se jemi shtet pa kufij e territor

4 Gusht 2016 - 10:54      

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se me miratimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, vuloset se Kosova është një vend pa kufi dhe pa territor.

Qeveria e Kosovës sot miratoi dhe procedoi në Kuvend këtë projektligj. Këtë miratim ajo e bëri pas ndërrimit të agjendës së takimit. Qeveria u mblodh 45 minuta më herët se sa e kishin paralajmëruar për media, ndërsa Kurti gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme plenare të Kuvendit, ka thënë se me libra kadastral duhet të dëshmohet se Kosova “qenka e jona”.

“Ne po vulosemi si një vend që nuk ka kufi, rrjedhimisht nuk ka as territor. Ne duhet ta dëshmojmë me libra kadastral se Kosova qenka e jona. Një pjesë e mirë e shqiptarëve nuk i kanë librat kadastral as për shtëpitë e pronat e veta. Se lëre më për male, lumenj e majat e larta”, ka thënë Kurti.

Marrëveshjen e demarkacionit Kurti e ka quajtur marrëveshje të kapitullimit të Kosovës ndërsa fajtorë për këtë e ka bërë kryetarin e Komisionit Shtetëror, Murat Meha, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin.

“Në vitet e fundit në Rugovë ka ndodhur një luftë, për të cilën nuk kemi dëgjuar se ka ndodhur. Kjo marrëveshje është marrëveshje e kapitullimit. Ne jemi mundur nga Mali i Zi në këtë luftë. Tash kryetari i Komisionit bashkë me Thaçin, Veselin, Lushtakun, neve na sollën kapitullimin”, ka shtuar ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Kuvendi do të ftohet që ta bëjë legjitimimin e këtij akti të tradhtisë dhe krimit më të madh që prej shpalljes së pavarësisë. Konferenca e djeshme e ka konfirmuar që qytetarët që nënshkruan peticionin, opozita, kanë pasur të drejtë në kundërshtimin e kësaj marrëveshje. Ne jemi për demarkacion, por jo për këtë marrëveshje të demarkacionit”, ka thënë veç të tjerash Kurti.

comments powered by Disqus

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

Ec me kohën...